I tërhequr nga Tirana, por jo nga pasioni për futbollin dhe zhvillimet rreth tij, sidomos kur flitet për bardheblutë, që u ka kushtuar jetën, Agustin Kola ka shumë për të thënë.
Ish-sulmuesi, ishkampioni dhe ish-trajneri i Tiranës vjen në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ku si askush më parë flet për problemet e klubit kryeqytetas. Për Kolën, Tirana ka më shumë vlera se të gjitha, por situata e vështirë që po kalojnë bardheblutë, të cilët kanë gjashtë vite pa fituar një titull, ka fajtor kryesor organizimin. Pa harruar problemet financiare, që sipas tij vazhdojnë të jenë aktuale në klub. Legjenda e viteve ’80-’90 shigjeton drejtuesit për gjendjen që po kalon ekipi, por një pjesë të fajit ia faturon edhe vetes dhe ish-shokëve të skuadrës me të cilët ka ndarë shumë gjatë viteve kur ka luajtur, por së bashku nuk arritën të bënin diçka më shumë për skuadrën e zemrës. Megjithatë, për Kolën, zgjidhja është shumë afër. Mjafton që ata të cilët drejtojnë tashmë Tiranën, të afrojnë ata që kanë kontribuar në të kaluarën për këtë skuadër, si një garanci për të ardhmen.
Situata e Tiranës
“Unë Tiranën e shoh dhe në krahasim me atë që po ndodh me kryeqytetin, është e njëjta gjë. Vijnë njerëzit dhe ikin, nuk jam kundër për këtë gjë. Por, kur kam veshur fanellën e Tiranës nuk ma ka falur njeri, e kam fituar me gjak. Kurse sot ata që e kanë në dorë, ua japin njerëzve si të jetë ndonjë letër që fshin buzët (për të mos thënë letër që fshin …). Nuk na e ka fajin asnjë për këtë situatë. Mirë që në monizëm thuhej se na sulmonin Partizani, Dinamo. Po sot kush po na sulmon? Sot tironsit po sulmojnë tironsit. Mua më dhimbset Tirana, kush nuk po vjen aty. Drejtuesit e kanë fajin. Kanë qenë donatorët Nuri, Ngjela, Papuli, që nuk janë më. Nuk e kuptoj si nuk i afrojnë më këta njerëz, pasi ku ta gjesh t’i kesh. Ai që e ka në dorë, Riti (Halili), duhet t’i afrojë të bëjë një gjë të mirë për Tiranën. Me sa jam informuar unë, asnjë nuk do të shkojë te Tirana, pasi të gjithë lojtarët janë në borxhe, ka probleme financiare..”
Braktisur nga Tifozët
Po të them që nuk e duan. Ata që kanë Tiranën sot nuk e duan, shohin interesat e tyre. Ardian Takaj ka qenë lojtar i të rinjve të Tiranës. Ka dashur të marrë drejtimin e Tiranës, por nuk ia dhanë. Më pas u bë president i Skënderbeut dhe arriti kulmin. Kjo i mungon Tiranës. Ne kemi qenë grup, sot ata nuk janë grup. Nuk janë tifozë ata që i paguan presidenti, pesë autobusë dhe shkojnë. Tifozët e Tiranës janë të tjerë. Shoh disa kalamaj që i japin një apo dy birra, i fusin edhe ndonjë mall dhe fillojnë të zihen. Jo, jo, nuk e kemi pasur ne atë edukatë. Ne kemi pasur tifozë artistë, profesorë edhe nga shtresa e klasës punë- tore. Njerëz që kishte qejf të uleshe dhe të bëje muhabet. /panoramasport/