TIRANË- Të kthehesh tek të afërmit per pushimet e fundvitit është kthyer në një rit për qindra mijëra emigrant shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. Si gjithnjë ata i shoqërojnë radhët e gjatë dhe problemet me dokumentacionin. Në rastin konkret, shumë prej tyre e kanë patur të pamundur të kthehen në kohë në vendet e tyre të punës, pasi janë penguar në kufi teksa linin Shqipërinë.
Në portin e Durrësit ka pasur me disa raste të shqiptarëve që kanë probleme me pasaportat e fëmijëve. Siç kanë bërë të ditur autoritetet të gjithë ata shqiptarë brenda e jashtë vendit që kanë marrë pasaporta për fëmijët në vitet 2009-2010 duhet ti ripërtërinjtë këtë vit. Pasaportat e tyre janë lëshuar gabimisht me afat 10 vjeçar, ndërkohë që duheshin 5-vjeçare. Askush nuk mban përgjegjësi për këtë gabim në shtypjen e pasaportave. Ajo që dihet eshte se këta persona duhet të bëjnë patjetër pasaportat e reja për fëmijët në mënyrë që të udhëtojnë lirisht.
Prindër që kanë prerë biletat bashkë me fëmijët dhe në padijeni të këtij ndryshimi janë përballur me ndarjen e tyre në terminal. Një grua që jetonte në Bari iu mohua kalimi me të birin edhe pse kishte përcaktuar një vizitë mjekësore në Itali, atje ku jetojnë. Ky nuk është rasti i vetëm. Me dhjetëra familje ndeshen me këtë problem. Ata duhet të vendosin në moment te fundit nëse duhet të kthehen familjarisht në Shqipëri deri në aplikimin për pasaportën e re, apo duhet të ndahen gjysma drejt vendeve ku jetojnë dhe gjysma në Shqipëri.