Shpallja e Eneida Tarifës si fituese e festivalit të Radio Televizionit Shqiptar nuk është pritur mirë nga komuniteti LGBT, përfaqësuesi i të cilëve, Kristi Pinderi, ka reaguar me kundërshti ndaj çmimit që iu dha Tarifës.
Shkak është bërë qëndrimi kundër i këngëtares Tarifa ndaj komunitetit të homoseksualëve. Një vit më parë, Tarifa kishte bërë një koment paragjykues ndaj këngëtares transeksuale që fitoi Eurovizionin, Chonchitta.
Kjo ka mjaftuar që Pinderi ta quajë Tarifën “homofobe”.
“Festivali Europian ku Eneda do të përfaqësojë Shqipërinë nuk është edhe aq shumë i respektuar nga ajo. Një vit më parë, kur u fitua nga Conchitta, Eneda shkroi e revoltuar: Ky na qenka Eurosongu hahahaha. Ku po shkojmë… Ku është fshehur muzika? Ku është strukur muzika?Kur aktivistët për të drejtat e LGBT e kritikuan si homofobe, ajo u përgjigj se nuk dinte madje si t’ia shpjegonte fëmijës se çfarë është Conchita. Madje shkoi deri atje sa të shprehej se ‘Brenda festivaleve si ky në fjalë (Eurosong) lobohet ne grupime të përkatësisë seksuale”, shkruan Pinderi.