Një mbledhje në Geldermalsen të Holandës gjatë së cilës po diskutohej për ndërtimin e një qendre të re për emigrantët ka përfunduar në përleshje me policinë. Protestuesit kaluan gardhin dhe i hodhën fishekzjarrë efektivëve, të cilët u përgjigjën me të shtëna paralajmëruese.
Sekretari i Mbrojtjes dhe Drejtësisë në Holandë, Klaas Dijkhoff tha se protestuesit e ekzagjeruan me reagimet e tyre.
“E dimë që është e vështirë të gjejmë strehë për azilkërkuesit, por nuk mund të kundërshtosh planet duke bërtitur dhe duke u përleshur me policinë. Kemi parë që në vende të tjera kanë gjetur zgjidhje për këtë çështje me qetësi”, tha Dijkhoff në televizionin shtetëror.
Kriza e emigrantëve pritet të jetë çështja kryesore e diskutimit në një mbledhje të udhëheqësve të BE-së ditën e enjte.