Të gjithë të çmendur pas tij. Rey Manaj, sulmues i Interit dhe futbollisti më i ri i Kombëtares së Shqipërisë është kthyer në këtë prag merkato dimërore në objekt dëshire për shumë klube në Serinë A, që kërkojnë shërbimet e tij në sulm. Në garë janë Bolonja, Frozinone dhe Xhenoa. Mbrëmë në Giuseppe Meaza, Manaj u ndoq nga presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka dhe zv/trajneri i Shqipërisë Paolo Tramezani. Manaj dha një asist në ndeshjen e kupës ndaj Kaliarit, ndërkohë që kalimi në ekipe të një niveli më të ulët, përkthehet në më shumë minuta në fushë. Por sipas faqes www.interlive.it, Rey Manaj dëshiron të qëndrojë te Interi, ku mund të mësojë shumë nga lojtarët me më përvojë dhe nga trajneri Roberto Mançini. Manaj është i ri dhe duhet të mësojë për të qenë në një nivel me sulmuesit e mëdhenj, pasi edhe vetë Mançini e krahasoi atë me dëshirën që pati Mario Baloteli në atë moshë.