E sigurtë është Shkëlzen Gashi nuk do të jetë më pjesë e Bazelit në Ligën e parë të Zvicrës. Sulmuesi Kuq e Zi është lënë në hije gjatë pjesë së parë të sezonit dhe një qëndrimi më i gjatë në stol me Bazelin do ti rrezikonte dukshëm vendin në Francë 2016. Ndaj edhe menaxherët e Gashit janë vënë në lëvizje për ti gjetur një ekip të ri.
Në plan të parë duket se ka dalë edhe Verona në Serinë A.
“Tuttomercattoëeb” raportonte pasditen e djeshme si një lajm ekskluziv se Verona është në gjurmët e shqiptarit. Skuadra e drejtuar nga Luixhi Delneri është vënë në ndjekje të situatës që po kalon Gashi te Bazeli, duke qenë se trajneri aktual nuk e ka më në plane.
Krahas shumë ekipeve në Zvicër që janë të gatshme të marrin shërbimet e shqiptarit si përforcim në muajin janar, Verona rihap pistat europiane për shqiptarin. Duke qenë se Xhanpaolo Pacini nuk ka treguar atë që pritej deri në këtë fazë të kampionatit, skuadra veroneze është duke menduar që të afrojë një sulmues tjetër që të jetë në krah të Luka Tonit.
Skuadra italiane është në kërkim për një sulmues që mund të ketë tiparet e duhura për të luajtur në Serinë A dhe për momentin sulmuesi kuqezi është në plan të parë.