Ndryshimet klimatike kanë sjellë mjegull të dendur që ka përfshirë shumicën e qyteteve të Kosovës duke ndikuar që numri i aksidenteve në trafikun rrugor të shënoj rritje.
Gjatë 48 orëve të fundit në tërë territorin e Republikës së Kosovës janë shkaktuar gjithsej 95 aksidente trafiku, ndër to një me fatalitet.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, gjatë ditës së shtunë, kanë ndodhur 44 aksidente në trafikun rrugor. Nga numri i përgjithshëm i aksidenteve në trafik, 16 kanë rezultuar me lëndime në njerëz, ndërsa në 28 aksidente ka pasur vetëm dëme materiale.
Ndërsa në 24 orëshin e ditës së premte, ku u shënuan 51 aksidente, humbi jetën një person në komunën e Kamenicës, si pasojë e goditjes nga vetura, derisa ishte duke punuar në futjen e kabllove përgjatë rrugës.
Nga këto aksidente 16 ka pasur lëndime në njerëz dhe 34 kanë kaluar vetëm me dëme materiale. Për gjatë këtyre 48 orëve të fundit Policia e Kosovës ka lëshuar gjithsej 1,390 gjoba për vozitësit e automjeteve të përfshira në trafikun rrugor.