Eshtë një shtet islamik që ka fituar tashmë: Arabia Saudite
Perëndimi nuk mundet që, në të nëjtën kohë të luftojë Daesh-in dhe t’i shtrëngojë dorën Riadit. Daesh-i e ka një mëmë: pushtimin e Iiakut. Por edhe një atë: Arabinë Saudite dhe aparatin e saj fetaro-industrial. Sa kohë që nuk do të kuptohet kjo, mund të fitohen beteja, por do të humbet lufta. Xhihadistët do të vriten, vetëm për të rilindur në brezat e ardhshëm për t’u rritur me të njëjtët libra. Sulmet e Parisit na e kanë vënë sërish në dukje këtë kontradiktë, por kjo, ashtu si ndodhi pas 11 shtatorit, rrezikon që të fshihet nga analizat dhe ndërgjegjet tona
Kamel Daoud*
Daesh i zi, daesh i bardhë. I pari pret fyte, vret me gurë, pret duar, shkatërron trashëgiminë e njerëzimit dhe përçmon arkeologjinë, gratë dhe jomyslimanët. I dyti është i veshur më bukur, por bën të njëjtat gjëra. Shteti Islamik; Arabia Saudite. Në luftën e tij kundër terrorizmit, Perëndimi bën luftë me njërën dorë dhe shtrëngon duar me dorën tjetër. Ky është një mekanizëm mohimi, që ka një çmim: të ruajë të famshmen aleancë strategjike me Arabinë Saudite, duke rrezikuar të harrojë se edhe Mbretëria e Emirateve mbetet në një aleancë me klerin që prodhon, legjitimon, përhap, predikon dhe mbron vahabizmin, forma ultra-puritane e Islamit, nga e cila frymëzohet Daesh.
Vahabizmi, një radikalizëm mesianik i lindur në shekullin e Dymbëdhjetë, shpreson të kthejë një kalifat të mistershëm, me bazë në shkretëtirë, një libër të shenjtë dhe dy vende të shenjtë, Mekën dhe Medinën. I lindur mes masakrave dhe gjakut, karakterizohet nga një marrëdhënie surreale me gruan, moslejimin e jomyslimanëve që të vënë këmbë në territoret e shenjtë, dhe ligje fetarë të pamëshirshëm. Kjo përkthehet në një urrejtje obsesive kundër pamjes dhe përfaqësimit, domethënë artit, por edhe trupit, nuditetit dhe lirisë. Arabia Saudite është një Daesh i realizuar. Eshtë tronditëse, se si Perëndimi e mohon: përshëndet teokracinë si aleatin e vet, por bën gjoja sikur nuk vë re se është sponsori parësor ideologjik i kulturës islamike. Brezat më të rinj të ekstremistëve, të të ashtuquajturës botë arabe, nuk kishin lindur si breza xhihadistësh. Ishin inkubuar në Luginën e Fetvasë, një lloj Vatikani islamik me një industri shumë të madhe që prodhon teologë, ligje fetare, libra, politika editoriale dhe fushata mediatike agresive.
Mund të më kundërshtojnë: a nuk është vetë Arabia Saudite një kundërshtar i mundshëm i Daesh-it? Po, fokusimi tek kjo gjë do të nënkuptonte fshehje e forcës së lidhjeve mes familjes mbretërore dhe klerit, nga i cili varet stabiliteti i saj – por edhe, tani gjithnjë e më shumë, pasiguria e saj. Mbretërorët sauditë janë të zënë në një kurth të përsosur: të dobësuar nga ligjet e trashëgimisë së pushtetit që nxisin zëvendësimin, kapen pas lidhjeve të vjetëra mes mbretit dhe predikuesve. Kleri saudit prodhon islamizmin që kërcënon vendin, duke legjitimuar në të njëjtën kohë regjimin. Duhet të jetosh në botën arabe, për të kuptuar pushtetin e jashtëzakonshëm të kanaleve televizive fetare, për të transformuar shoqërinë duke mbërritur tek hallkat e saj më të dobëta: familjet, gratë, zonat rurale. Kultura islamike është e përhapur në shumë vende – Algjeri, Marok, Tunizi, Libi, Egjipt, Mali, Mauritani. Janë me mijëra gazeta islamike dhe autoritete fetare, që imponojnë një vizion unitar të botës, traditat dhe veshjet në publik, ligjet shtetërore dhe zakonet shoqërore që i konsiderojnë të “ndotur”.
Ia vlen të lexosh disa gazeta islamike për të konstatuar reagimet e tyre ndaj sulmeve të Parisit. Perëndimi paraqitet si një tokë “të pafesh”. Sulmet janë rezultat i masakrave kundër Islamit. Myslimanët dhe arabët janë bërë armiq të laikëve dhe hebrenjve. Cështja palestineze lidhet me shkatërrimin e Irakut dhe kujtimin e traumës koloniale, dhe ofrohet përmes një rrëfimi mesianik, që synon të joshë masat. Këto diskurse përhapen në brendësi të shoqërisë, ndërkohë që nga jashtë saj, udhëheqësit politikë i dërgojnë ngushëllimet e tyre Francës, dhe denoncojnë një krim kundër njerëzimit. Kjo situatë tërësisht skizofrenike shoqërohet me mohimin e zonave të errëta të Arabisë Saudite, nga ana e Perëndimit.
Kjo na bën të mos u besojmë deklaratave kumbuese të demokracive perëndimore, mbi nevojën e luftimit të terrorizmit. Lufta e tyre nuk mund të mos jetë miope, pasi ka në shënjestër pasojën dhe jo shkakun. Duke qenë se Daesh është mbi të gjitha një kulturë, si mund të shmanget që brezat e ardhshëm të mos i bashkohen xhihadizmit, nëse lihet e paprekur Lugina e Fetvasë dhe kleri i saj, kultura e saj dhe industria tejet e madhe botuese?
Pra, kura për sëmundjen është e thjeshtë? Eshtë e vështirë. Arabia Saudite mbetet një aleat i perëndimit në shumë “fushëbeteja” të Lindjes së Mesme. Ajo është e preferuar para Iranit, apo atij Daesh-i të trishtë. Dhe pikërisht këtu qëndron kurthi. Mohimi krijon iluzionin e ekuilibrit. Xhihadizmi denoncohet si kamzhiku i shekullit, pa marrë në konsideratë se çfarë e ka krijuar apo mbështetur atë. Në këtë mënyrë, shpëtohen fytyrat, por jo jetët.
Daesh-i e ka një mëmë: pushtimin e Iiakut. Por edhe një atë: Arabinë Saudite dhe aparatin e saj fetaro-industrial. Sa kohë që nuk do të kuptohet kjo, mund të fitohen beteja, por do të humbet lufta. Xhihadistët do të vriten, vetëm për të rilindur në brezat e ardhshëm për t’u rritur me të njëjtët libra. Sulmet e Parisit na e kanë vënë sërish në dukje këtë kontradiktë, por kjo, ashtu si ndodhi pas 11 shtatorit, rrezikon që të fshihet nga analizat dhe ndërgjegjet tona./NYT
Shkrimtar dhe gazetar algjerian
Vizitoni www.bota.al për analizat, komentet, lajmet më të fundit nga bota)