Prej 20 vitesh kishte marrë pjesë në sallat e gjyqit duke ngritur akuza ndaj të tjerëve, por kësaj here ishte vetë i akuzuar.
Prokurori i Fierit, Petrit Vukaj mbetet në qeli, pasi Gjykata ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e mëparshëm, atë të masës së sigurisë “arrest me burg”.
Vetë prokurori ka deklaruar se nuk kishte marrë kurrë ryshfet dhe se gjatë dy dekadave nuk kishte marrë asnjë qindarkë përveç pagës.
“Kam 20 vjet punë në Prokurori dhe përveç pagës sime, kurrë, në asnjë rrethanë, nuk kam marrë asnjë lloj përfitimi tjetër. Asnjë qindarkë. Është lehtësisht e verifikueshme. Kush pretendon të kundërtën, jam i gatshëm të ballafaqohem në çdo kohë me të”, ka thënë Vukaj.
Ai ka shpjeguar edhe për ndryshimin e kërkesës ndaj të akuzuarit Elton Xhemali, i përfshirë në një aksident rrugor ku humbi jetën një shef policie.
“Vetëm kur janë normalizuar marrëdhëniet mes familjeve të të dëmtuarit dhe të akuzuarit, kjo me akt të shkruar dhe me deklarim para oficerit të Policisë Gjyqësore, vetëm atëherë ne kemi rëndë dakord, si organ akuze, që të kërkojmë dënim e tij me burg dhe më pas, zëvendësimin e tij me një dënim në shërbim të provës”, ka thënë Vukaj, duke shtuar se nuk kishte bërë asnjë favorizim.
Megjithatë, kanë qenë përgjigjet ato që kanë “fundosur” prokurorin. Ai ka shkëmbyer numrin e telefonit me të akuzuarit si dhe ka komunikuar me ta, duke bërë edhe pazaret.