Arrestimi për mitmarrje i mëngjesit të sotëm i prokurorit të Fierit Petrit Vukaj, rikthen edhe njëherë në vemendje deklaratën e bërë pak ditë më parë nga Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila në një takim të disa ditëve me parë me aktorë të drejtësisë foli për pasuritë e çuditshme që gjyqtarët kanë në Shqipëri në krahasim me rrogën që ata marrin. Por çfarë tha konkretisht Vlahutin? Kjo është edhe deklarata e saj.
“Ka disa gjyqtarë në vend, asetet e të cilëve llogariten në disa miliona euro të një pasurie të pashpjeguar qartësisht. Si është e mundur që, në një vend të varfër dhe ku paga më e madhe e një gjyqtari është 1500 euro, disa kanë akumuluar një pasuri prej miliona eurosh. Ndoshta të gjithë janë martuar me partnerë/e shumë të pasur/a, apo vijnë nga familje të pasura? Si është e mundur, që nga 150 referime kriminale për pasuri të pajustifikuara gjatë vitit të fundit, vetëm 4-5 kanë përfunduar në ndjekje penale? A është ky një sistem, që mendohet se do t’i mbrojë qytetarët nga korrupsioni, apo është një sistem për të mbrojtur personat e korruptuar nga përballja me ligjin? Duhet të ketë qartësi. Nëse unë do të isha një prej atyre gjyqtarëve, që thonë se milionat e tyre vijnë prej martesave me njerëz të pasur, unë do të isha mbështetësja kryesore e kësaj reforme. Kjo, sepse unë do të doja, që pasuria ime të kontrollohej deri në detajin më të vogël dhe do të doja të dilja e pastër përpara qytetarëve të mi. Ky proces duhet të qartësojë se, kush janë ata gjyqtarë e prokurorë, që meritojnë respektin dhe mbështetjen sepse punojnë me dinjitet, dhe kush janë ata, që mendojnë se janë mbi të gjitha ligjet dhe mbi moralin”.