Dënohet biznesmeni fierak Fatmir Kajolli dhe djali i tij, të akuzuar për rrahjen e numëruesit të Partisë Socialiste në zgjedhjet e qershorit të lënë pas. Gjykata e Fierit ka shpallur fajtor babë e bir, Fatmir dhe Florim Kajollin, dhe i ka dënuar me nga 1 vit e 4 muaj burg secilin, për akuzat e “kanosjes ose dhunimit të pjesëmarrësve në zgjedhje”; “kundërshtim të punonjësit të policisë” dhe “shkatërrimit të pronës me dashje”. Ata janë dënuar lidhur me ngjarjen e ndodhur më 24 qershor, dy ditë pas zgjedhjeve lokale të zhvilluara në Shqipëri. Sipas hetimit të Prokurorisë së Fierit rezulton se, rreth orës 01.15 të asaj date, në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve me nr .57, e cila ndodhej në shkollën “Janaq Kilica”, në lagjen “Kastriot”, Fier, Roland Bylyshi, me detyrën e numëruesit për zgjedhjet e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Fier, në momentin që po dorëzonte procesverbalin e numërimit të votave brenda KZAZ, është goditur me grusht dhe me tub hekuri deri sa ka humbur ndjenjat nga shtetasi Fatmir Kajolli, në bashkëpunim me djalin e tij, Florim Kajolli. Bylyshi ka humbur ndjenjat dhe është dërguar në spitalin e Fierit për ndihmë mjekësore. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, ai ka bërë kallëzim penal.