Janë jo të pakta monumentet e kulturës, shtëpitë-muze apo banesat historike krejtësisht të harruara e në mëshirë të fatit. E tillë është edhe shtëpia-muze e Avni Rustemit, ku përveç emrit “muze”, asgjë në brendësi të saj nuk e përligj këtë emërtim.
“Urgjencë për ndryshim!” Kështu shkruante në rrjetet sociale ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në maj të këtij viti. Por, edhe pse kanë kaluar 6 muaj prej konstatimit të saj, shtëpia e atdhetarit dhe heroit të popullit vazhdon ne të njëjtën gjendje.
Panorama që të shfaqet sapo kapërcen pragun e portës përherë të hapur të kësaj banese dykatëshe, dikur një nga më të bukurat në Libohovë, është
trishtuese. Portretet e familjarëve të hedhura përtokë, çatia gjysmë e rrëzuar, dyer e dritare të thyera, mbeturina të hedhura kudo dhe gjurmët e banesës që po i mbijeton dhimbshëm harresës janë të vetmit mikpritës.
Kryebashkiakja e Libohovës, Luiza Mandi pranon gjendjen në të cilën ndodhet sot kjo shtëpi, ndërsa pohon se për mungesë fondesh Bashkia Libohovë nuk mund ta marrë përsipër restaurimin. /Gazeta Shqiptare/