(Në 2-vjetorin e ikjes së Sokol Olldashit)
Edhe pse kanë kaluar 2 vjet, ka njerëz që presin ende t’i udhëheqësh, ngaqë e kanë të vështirë ta gjejnë rrugën vetë. Dhe kjo nuk ka domosdoshmërisht lidhje me politikën. Por ti e di se është e pamundur që uji i lumit të kalojë dy herë në të njëjtin vend. Edhe ata e dinë, por e kanë hall të madh atë. Të cilin nuk e zgjidhin dot, edhe sikur ti të kthehesh.
Ka të tjerë, që tek mungesa jote e gjatë e gjejnë sërish justifikimin për të gjitha dështimet apo mosarritjet e veta, madje edhe për ato të të ngjashmëve të tyre në grup.
Ka që presin të fitojnë ende prej teje, dhe më të mirët prej tyre, duan që të paktën të mos humbasin. Jam shumë i sigurt se ti do ta merrje shumë seriozisht problemin e tyre, ndonëse për këtë as që ia vlen të mendosh fare.
Madje ka disa të tjerë që ende presin të marrin ndonjë votë më shumë nga ty, megjithë cmimin e ulur të tyre në tregun e fshatit tonë, që sa vjen e shëmtohet dhe zhvleftësohet.
Ka plot prej tyre që nuk guxojnë ta thonë, por e mendojnë për ditë se u ke prishur shumë plane me ikjen tënde të papritur. Sepse e kanë llogaritur të ardhmen e vet të projektuar nën hijen apo nën dritën tënde dhe u është tronditur keq ekuiilibri. Ata ndoshta nuk do ta harrojnë kurrë ty këtë “tradhti”, por unë jam shumë i sigurt që ti i ke falur të gjithë në natën e lamtumirës.
Por ka, gjithashtu, të tjerë që bashkë me ty kanë humbur edhe dhomën e fshehtë të rrëfimit, ndonëse janë shumë më pak mëkatarë se të tjerët, dhe këta janë më të mirëkuptuarit prej meje.
Eshtë jashtë cdo dyshimi se ka një kategori që përpiqet me cdo mënyrë që ti të harrohesh sa më shpejt. Kam bindje se pikërisht për këtë arsye ata janë njerëzit që të kujtojnë më shpesh se të tjerët. Nuk ka rëndësi se si dhe për cfarë. Madje, ata më shumë se kushdo tjetër janë në një farë mënyre edhe vetë shkaku pse ti kujtohesh kaq shumë sot.
Ka të tjerë që janë të mërzitur pse nuk u del në ëndërr, ashtu si të tjerë që janë tmerrësisht të shqetësuar për të kundërtën. Disa madje nuk përtojnë edhe t’i tregojnë ato, ndonëse askush nuk i pyet dhe askujt nuk u interesojnë makthet e tyre.
Ka të tjerë që presin ndoshta shumë pak prej teje, një batutë apo nja shaka në ecje e sipër, ndonëse nuk janë të vetëdijshëm se humori është gjëja me serioze në botë. Dhe ti e zotëroje atë pasuri të patundshme, si rrallëkush. Këta janë ndoshta më të pafajshmit.
Ka të tjerë që ndjehen keq me veset e tyre humane, të cilat përpiqen t’i fshehin me sforcim, sepse nuk e kanë kuptuar ende që maksimumi i virtytit është t’i pranosh dhe të tallesh i pari me to, ashtu sic bëje ti.
Ka edhe syresh që nuk lodhen duke përcjellë amanete, që ti kurrë nuk i le, madje nuk do t’i lije edhe sikur ta dije 20 vjet përpara se cfarë do të ndodhte në natën e zezë të 20 nëntorit. Kurrë nuk kam për ta kuptuar se ku e gjejnë guximin për të ushtruar një mandat, që nuk u është dhënë kurrë, por ky, gjithësesi, nuk është, as rasti i vetëm, dhe as fundi i botës.
Disa prej tyre vigjëlojnë ditë e natë për të kapur edhe sinjalin më të pandjeshëm që mund të lëshojnë ende “armiqtë” e tu të supozuar, ndonëse edhe ti e di që këta janë rralluar shumë, ngaqë u mungon motivimi. Një detyrë që nuk ia ka ngarkuar asnjeri, dhe nga e cila jam i sigurt se ti do t’i shkarkoje menjëherë, sapo ta merrje vesh.
Ndërsa të tjerët përcaktojnë dhe ripërcaktojnë me një përkushtim të pashembullt radhën e hierarkisë së njerëzve të tu të dashur, e cila cuditërisht ndryshon përditë, megjithëse ti e ke mbyllur vetë këtë histori këtu e dy vjet të shkuara me ikjen tënde, pa asnjë paralajmërim. Me fjalë të tjera, sforcohen për të ndryshuar të shkuarën, sepse nuk dinë c’të bëjnë me të tashmen. Me të ardhmen, jo e jo.
Por më fatkeqët janë ata që të thërrasin vend e pa vend e kohë e pa kohë, të cilët përmes hijes tënde të ndritshme, në fakt, kërkojnë vëmendje për vete. E cila u ka munguar, gati gjithmonë, për fajin apo për fatin e tyre të keq. Këta janë më të ekspozuarit dhe për këtë arsye ndoshta edhe më të padëmshmit.
Më të përvuajturit dhe më modestët, janë realisht të preokupuar se mos të gjitha këto të bëjnë të ndjehesh keq edhe atje në prehrin e të Gjithëpushtetshmit. E kam dëgjuar shpesh pyetjen e tyre të sinqertë “a nuk mund ta lenë të qetë aty ku është?” dhe jam i bindur që e kanë me gjithë shpirt.
Por unë nuk e kam fare këtë merak. Madje, nuk e fsheh që më vjen mirë, sepse e di që nuk ta prishin dot qetësinë, qoftë edhe me ekzagjerimet e tyre, disa herë edhe të qëllimshme. Sepse ti nuk kishe nevojë për më shumë kohë që të kuptoje dhe njihje në të gjitha dimensionet e veta dobësitë njerëzore, prej të cilave nuk shpëton dot asnjë vdekatar.
Tek e fundit, kjo është prova e gjallë se ti nuk ke qenë njeri i zakonshëm, pasi gjithmonë më kap frika se mos e teproj duke qenë subjektiv në këtë pikë. Sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe gjithë ky aktivitet i gjallë, megjithë dritë-hijet e veta, që zhvillohet rreth emrit dhe kujtimit tënd, edhe pse kanë kaluar dy vjet nga ndarja.
Por edhe unë, për dreq, e kam një kërkesë sot, Sokol. Pres vetëm të më japësh një kafe. Koha dhe vendi nuk kanë rëndësi…Jam shumë i sigurt se do ta pimë…
Me mall,
Astro