TIRANË- Një 42 vjeçar ka kërcënuar vajzën me të cilën ishte lidhur por që më pas vendosi të ndaheshin duke i thënë: “Do të shtyp me makinë! Do të djeg me acid! Do të vras! Ti nuk do të lidhesh me mashkull tjetër”. Pas një marrëdhënieje dashurie 6 mujore, Albert P. nuk e ka pranuar vendimin e partneres T. I. për t’u ndarë.
Për dy muaj me radhë, ai e ka përndjekur hap pas hapi, pa i kursyer veprimet e dhunshme dhe telefonatat kërcënuese. Pas kallëzimit të financieres, Albert P. përfundoi si i pandehur në Gjykatën e Tiranës.
Pak ditë më parë, ai u fajësua për akuzën e “përndjekjes” dhe u dënua me 6 muaj e 20 ditë burg. Sipas Gjykatës, ai i ka shkaktuar kallëzueses një gjendje të vazhdueshme ankthi. Në periudhën qershor-gusht 2014, i pandehuri e ka telefonuar 126 herë kallëzuesen, me një shpeshtësi deri në 14 thirrje në ditë. Ndërkohë nuk ka marrë asnjë telefonatë prej saj.
Ai u gjykua në gjendje të lirë. Gjatë procesit ka shfaqur pendesë, duke pohuar se e kishte pasur të vështirë të pranonte ndarjen, por nuk kishte pasur qëllim përndjekjen e ishtë dashurës. /Panorama/