Autoritetet e drejtësisë britanike arrestojnë Mauro De Renzis, administratorin e disa kompanive të sekuestruara në Shqipëri të biznesmenit italian Francesco Becchetti. ABC News ka mësuar se në shkresën që ambasada shqiptare në Londër i ka dërguar prokurorisë së përgjithshme, saktësohet se bashkë me biznesmenin Becchetti mëngjesin e 26 tetorit është arrestuar edhe administrator i tij De Renzis.
Në shkresën që ABC News e ka siguruar, mësohet se zyra e ekstradimeve pranë kësaj gjykatës, e ka njoftuar ambasadën shqiptare në Londër për arrestimin e dy biznesmenëve të shpallur në kërkim për një sërë akuzash të rënda penale në Shqipëri. Bazuar në kërkesën e drejtësisë shqiptare, zyra e ekstradimeve të kësaj gjykate, njoftoi ambasadën se po të njëjtën ditë, dy të shpallurit në kërkim me vendim të formës së prerë, kanë dal para gjyqtarit të seksionit të Ekstradimeve në gjykatën e Magjistraturës “Westminster” në Londër. Ata nuk kanë pranuar akuzat, duke refuzuar ekstradimin drejt Shqipërisë. Nga ana tjetër, Gjykata ka pranuar kërkesën avokatëve duke I liruar dy italianët nga burgu kundrejt një garancie pasurore dhe kufizim të lëvizjes së tyre. Në shkresën që tashmë është administruar nga prokuroria, thuhet se me datë 7 dhjetor është parashikuar seanca e radhës gjyqësore pranë kësaj gjykate, ku dy italianët Becchetti dhe De Renzis do të paraqesin pretendimet e tyre në lidhje me kërkesën e drejtësisë shqiptare për ekstradimin e tyre.
Sipas prokurorisë, Francesco Becchetti akuzohet për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” ndaj ortakëve të kompanisë së tij në shuma të mëdha, akuzën e “pastrimit të parave” të përfituara në mënyrë të paligjshme të rreth 42 milion euro dhe “krijimin e skemave mashtruese” me qëllim përfitimin, duke krijuar kompani e kontrata fiktive me qëllim të vetëm përfitimin nga TVSH –ja dhe mos pagimin e detyrimeve shtetërore. Ndërsa administrator Mauro De Renzis akuzohet për 5 akuza. Atë të “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, ku së bashku me Beçhetin kanë përvetësuar para duke vjedhur bashkëpronarët e kompanive. Akuzën e “Pastrim të parave” për investimin në Shqipëri të parave me origjinë të paligjshme. Atë të “mospagim taksash dhe detyrimeve” me një shumë rreth 5.5 milion euro në total. Akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve” me qëllim përfitimin e shumave të mëdha parash nga rimburësimi i TVSH-së dhe kompanive të tjera të familjes Becchetti. Si dhe akuzën e “kontrabandës”, pasi një pjesë të pajiseve të sjella në Shqipëri për televizionin Agon Channel që tashmë është bllokuar nuk kanë paguar detyrimet doganore. Në dosjen e Becchettit është proceduar edhe nëna e tij, Liljana Condomiti dhe dy punonjës shqiptare, Stavri Peçi dhe Elona Troplini./ Lapsi.al