Në muajin qershor Prokuroria e Tiranës, mbylli përfundimisht çështjen e Serverit të Tatimeve, ku në nëntor të vitit 2013, një grup personash të dokumentuar nëpërmjet pamjeve filmike, u panë të futeshin në serverin e të dhënave, duke kopjuar prej aty 4.5 milion deklarata të bizneseve. Një ngjarje që për kohën u quajt skandal dhe ku njëri prej protagonistëve të futjes në server ishte edhe deputeti dhe njëkohësisht kryetari i Komisionit të Sigurisë Spartak Braho. Njeriu i cili pasi pa veten në videon e regjistruar në ambientet e brendshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, tha se ishte aty si deputet dhe kryetar i Komisionit të Sigurisë dhe se kishte të drejtë të shkonte kudo që shkelej siguria financiare e e strukturave të shtetit. Madje Braho tha se kishte konstatuar se Sali Berisha ishte ideatori i një komploti financiar, që i ka kushtuar rëndë shtetit dhe se në ditët në vijim do të hapte petët këtij byreku ku ka kullotur banda financiare e Saliut. Ndaj edhe u kërkoi, duke cituar Brahon, zotërinjve të PD-së, të kenë durim, ta lënë prokurorinë rehat”. E ndërsa i kërkonte Partisë Demokratike ta linte prokurorinë rehat në punën e saj në hetimin e skandalit të serverit të Tatimeve, Spartak Braho në bashkëpunim me Ahmet Prençin, drejtor i Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, i përgatisnin prokurorit të çështjes pyetjet që ata mendonin ti bënin Renald Ristës, personit që denoncoi vjedhjen e të dhënave nga server. Emaile bashkë me pyetjet të cilat janë publikuar edhe në faqen e Opinion.al, të cilat shprehnin qartë lidhjet okulte të politikës dhe organit të akuzës, i cili duket i vënë nën thundër nga politikanët të cilët e përdorin sipas dëshirës. Emaile të cilave Braho tanimë u shmanget duke mos dhënë shpjegime, se me çtë drejtë ka ndërhyrë në punët e organit të akuzës. Përgjigje të cilat Sali Berisha ia bëri edhe nga foltorja e parlamentit, ku publikoi pyetjet që Braho i ndërtonte prokurorit të çështjes së Serverit të Tatimeve, por që Braho ka vendosur ti kalojë në heshtje.