SKRAPAR- Ilir Meta e ka një përgjigje të drejtpërdrejtë për Bashën dhe jo për Partinë Demokratike në tërësi lidhur me kërkesën e vazhdueshme për dorëheqjen nga detyra të kreut të Parlamentit. Nga vendlindja e tij Skrapari, ku po merr pjesë në një panair për agro-turizmin Meta tha: “Basha është i vetmi kryetar opozite, i cili në vend që të kërkojë dorëheqjen e Kryeministrit, siç kërkohet në përgjithësi nga kryetarët e opozitës në të gjithë Europën dhe botën, kërkon vetëm dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit”.
Më tej Meta ironizon kur thotë se “Arsyeja është pakënaqësia e tij e thellë për respektin maksimal që unë tregoj, jo thjesht ndaj demokratëve në Parlament, por sidomos edhe ndaj liderit historik z. Berisha”.
Në fund Meta artikulon arsyen e vertetë që sipas tij e shtyn Bashën të kërkojë dorëheqjen e kreut të Kuvendit. “Basha prej dy vitesh Qeverinë “Rama” e etiketon si Qeveria “Rama-Meta”. Madje nuk keni dëgjuar gjë akoma, sepse shumë shpejt do të akuzojë qeverinë “Meta-Rama” dhe pak më vonë të jeni të bindur që do dëgjoni çudi të mëdha për akuzat e tij ndaj qeverisë kriminale “Meta-Meta” dhe për shtypjen dhe terrorin e saj ndaj opozitës së pafajshme “Basha-Rama”.