Nga Andi Bushati
Kryeministri Rama në një fjalim plot pathos dhe euforik, pas mbështetjes që atij i dhanë dy ambasadorë të rëndësishëm përendimorë, për rezultatet e luftës kundër kanabisit, është munduar ta kthejë këtë përkrahje kundër atyre “që shfrytëzojnë pushtetin e të pasurit një LAPS në dorë për të nxirë punën e policisë”. Duke e futur veten në këtë grup që “përdor gjuhën e LAPS-ave të cilës populli nuk i beson” do ishte mirë ti jepej një përgjigje e drejtëpërdrejtë, jo vetëm Edi Ramës, por të gjithë atyre që kanë mendësinë e sëmurë të mediave që ekzistojnë vetëm për të lavdëruar dhe mbështetur politikanët.
Jo, natyrisht ne nuk jemi njëra prej tyre.
Dhe duke thënë këtë, ne nuk kemi asnjë kompleks për të pranuar, se në betejën kundër bimëve narkotike qeveria aktuale ka një bilanc ku e ku më të spikatur sesa paraardhësja e saj. Jo vetëm për Lazaratin, por për të gjitha aksionet në vijim. Ne nuk kemi asnjë kompleks për të pranuar gjithashtu se Ministri i Brendëshëm, Sajmir Tahiri, mori sot një mbështetje të hapur edhe kundrejt akuzave të opozitës, por më shumë dhe mbi të gjitha, edhe ndaj akuzave të një lobi të fuqishëm brenda vetë shumicës së Ramës.
Këto janë pjesë e të vërtetave që pushteti ynë, ai “i njerzve me LAPS në dorë” i ka detyrim ndaj publikut. Dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Por përpos këtij detyrimi për të thënë të vërtetat e punëve të mira, ne kemi edhe një detyrim tjetër edhe më të madh. Ndërsa për të vënë në dukje të parat, ekziston një aparat i tërë shtetëror, vihen në punë organizime gjigande si ky i sotmi, me salla luksoze, ekranë gjigantë, dhe një mori mediash që vihen në garë të transmetojnë LIVE, ky detyrim i dytë është edhe më i vështirë. Ne jemi munduar ti përmbahemi edhe atij.
Sepse ndryshe nga shumë media të tjera, ne nuk mund të heshtnim kur policia lë të lirë një deputet që mban në makinën e tij një trafikant dhe e lejon atë të largohet në një drejtim të paditur. Sepse ndryshe nga shumë media të tjera, ne nuk mund të heshtim kur djali i një deputeteje lihet i lirë të largohet nga Lazarati (duke pjellë pastaj tragjedinë që ndodhi më pas). Sepse ndryshe nga shumë media të tjera, ne nuk mund të heshtim kur një dokument i Interpolit, mbahet i fshehur në zyrat e policisë, sepse dalja e tij e damkos këtë mazhorancë. Sepse ndryshe nga shumë media të tjera ne nuk heshtim dot, kur një deputet me të shkuar të dyshimtë, bëhet edhe pronar lagunash që më pas sjellin gjakderdhje. Sepse ndryshe nga shumë media të tjera, ne nuk i quajmë normale justifikimet se të fortët emërndëruar të PS-së, e kanë bërë këtë nga hallet e të qenit emigrant. Sepse ndryshe nga shumë media të tjera, ne nuk e pranojmë dot alibinë se e majta u popullua me kriminelë, për të mundur një kriminel më të madh: Sali Berishën. Sepse ndryshe nga shumë media të tjera, ne nuk mund të heshtim kur një intervistë që fillon të transmetohet (cilido qoftë autori i saj) ndërpritet në mes nga frika se ajo i bën dëm pushtetit.
Ka shumë që sillen në këtë mënyrë sespse i kanë ngritur mediat e tyre për të terorizuar borxhdhënësit, për të përfituar tendera, për të thithur reklamë, për të grabitur toka në bregdet, për të marrë parkingjet e qyteteve. Kjo është puna e tyre. Ne besojmë se janë ata të cilët nuk përfillen nga publiku. Janë ata që i kanë kthyer gjigandët mediatikë në kioska besueshmerie, të cilat nuk kanë më asnjë ndikim. Janë ata që kujdesen për përkëdheljen e pushtetarëve deri në atë pike, sa halli i ka bërë të ulen me dhimbje mbi LAPSin e tyre.
Ne kemi zgjedhur rrugë tjetër. Ti njohim meritat e policisë (meqë në këtë rast po flitet për të), kryeministrit dhe vartësve të tij, por mbi t ë gjitha të denoncojmë mëkatet e tyre. Kredoja jonë është më mirë ndonjë gabim në mirbesim (kur ndodh që gabojmë) sesa një heshtje e zgjatur në keqbesim.
Por, kjo kredo me sa duket bie ndesh me filozofinë e kryeministrit tone, që sillet me pushtetin e katërt si një Don zhuan që përzgjedh vetëm femrat që i përulen. Ne nuk e pranojmë dot këtë rol dhe jemi krenarë për fshikullimet e tij. Nga një anë ato na bëjnë nder. Sepse ato vendosin një vijë të qartë ndarëse, në një garë mes mediave që e përdorin LAPSin e tyre në funksionin e tij të parë dhe të atyre që janë detyruar të ulen me dhimbje mbi të. Sa të kemi fuqi ne do të qëndrojmë mes të parëve. Ndaj dhe për këtë do ti themi Edi Ramës të vërtetën sa herë ai merr lavdërime për punën e tij, si këto të sotmet nga ambasadori LU. Por do ti kujtojmë atij pa reshtur se ashtu sikurse e dëshmoi edhe sot, as Lu dhe as shefat e tij në Washington, nuk i hanë alibitë e tij, për penetrimin e kriminelëve në politikë.