TIRANË- TIRANË- Nën moton “Antidroga, një histori suksesi”, Policia e Shtetit publikoi rezultatet e aksionit mbarëkombëtar kundër lëndëve narkotike. E gjithë ‘shfaqja’ u vu në skenën e Pallatit të Kongreseve ku mbajtën fjalë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, kryeministri Edi Rama, kreu i policisë Haki Çako dhe dy ambasadorë, i SHBA-së, Donald Lu dhe i Italisë, Massimo Gaiani. Spektatorë ishin efektivët e policisë por edhe punonjës të dikastereve qendrore e selive diplomatike.
Siç kishte lajmëruar ai dha shifra sipas të cilave sasia e drogës që po kapet tani është disa herë më e lartë se ajo që kapej kur ishte e djathta në pushtet”.
“Vetëm 7 % e gjithë sasisë së mbjellë është shkatërruar në 2013-ën, dhe pjesa më e madhe në 3 muajt e parë kur ne morëm detyrën dhe e shpallëm këtë luftë, ndërkohë që janë 99.2 % (jo shifra të ministrit dhe qeverisë, se ne jemi kokë e këmbë të lidhur me krimin) këto janë shifrat e Guardia di Finanzias që këto fotografi ajrore i kishte edhe në 2011-2012-2013, jua vendoste përpara të gjithëve atyre që ministri përmendi si ministra të Brendshëm ata para jush janë askush. Në gjuhën e tyre do të thuhej flinin mbi kanabisin”, u shpreh Rama.
Rama foli edhe për dëshminë e ish-shefit të Antidrogës Zagani, duke thënë se një i kërkuar është kthyer hero i opozitës për të përbaltur punën e Policisë së Shtetit. Kjo sipas kreut të qeverisë, tregon se sa poshtë ka rënë opozita shqiptare.
“Dhe ju jap vetëm një mundësi që të ndiheni të qetë: Një kriminel, nga ata të cilët policia e rilindur e shtetit ka pasur kurajën t’i identifikojë në radhët e veta dhe t’i pastrojë, një bashkëpunëtor i trafikantëve të drogës që dekonspironte operacionet e policisë është bërë sot heroi i opozitës, i mediave, madje edhe i kreut të shtetit së fundi. Heroi që na kërkoka përgjigje, që nuk paraqitet në prokurori dhe të përgjigjet njëherë për akuzat e ngritura për të, por është paraqitur për azil politik në një shtet tjetër”.