TIRANE- Aksioni i qeverisë kundër informalitetit u dekonspirua që ditën e parë të nisjes së tij. Shumë biznese në Tiranë dhe qytete të tjera nuk u hapën të martën e 1 shtatorit dhe as sot, nga frika e kontrollit të tatimorëve. Ulja e qepenave të dhjetëra bizneseve është provë se këta biznese kanë operuar deri tani në shkelje të ligjit.
Po ashtu ky veprim ngre dyshime të forta se ata janë njoftuar për kontrollet nga tatimorët që i mbanin në patronazh.
Nuk ka si të shpjegohet ndryshe që gjysma e dyqaneve në rrugët më të njohura tregtare, si Myslim Shyri apo rruga e Durrësit dhe dhjetëra zona të tjera u mbyllën njehërësh.
Dyshime se punonjës të tatimeve, që paguhen me taksat e qytetarëve shqiptarë, kanë bashkëpunuar me subjektet e paregjistruara, hodhi publikisht edhe kryeministri Rama.
Që këta subjekte e kanë ushtruar aktivitetin në kundështim me ligjin për vite me radhë, duke mos paguar taksa, e provon edhe fakti se Qendra Kombëtare e Regjistrimit nuk po arrin dot këto ditë t’i regjistrojë të gjitha subjektet që janë dyndur në zyrat e saj.
Tjetër dëshmi për informalitetin dhe evazionin është numri i kasave fiskale. Vetëm në një ditë shiten deri në 400 kasa, aq sa më parë shiteshin për një muaj.
Aksioni i qeverisë kundër evazionit nuk u dekonspirua vetëm në Tiranë. Edhe në Durrës, Vlorë, Fier e qytete te tjera të mëdha, bizneset që kanë operuar në shkelje të ligjit, ditë e natë, aspak në fshehtësi të tatimorëve, vazhdojnë të jenë të mbyllur. marre nga TV KLAN
.