Zbulohet një call center në bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë, ku kryhej mashtrim kompjuterik.
Policia ka arrestuar në flagrancë 4 organizatorë dhe drejtues të kësaj veprimtarie, teksa u proceduan penalisht 49 punonjës, të cilët që u kapën në flagrancë në këtë ambient.
Sekuestrohen 107 pajisje nëpërmjet të cilave kryhej mashtrimi, si dhe materiale të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
“Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se kati i dytë i një objekti në bulevardin “Gjergj Fishta”, ishte call center ku kryhej mashtrim kompjuterik, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike të DVP Tiranë, finalizuan në drejtimin e Prokurorisë, operacionin e koduar “Hold on”.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 28 vjeç, A. J., 21 vjeç, E. D., 21 vjeç dhe M. M., 19 vjeç, të cilët dyshohet se administronin këtë veprimtari dhe/ose drejtonin grupet e punonjësve.
Gjithashtu, në ambientet e objektit, u kapën në flagrancë, gjatë punës, 49 shtetas, për të cilët nisi procedimi në gjendje të lirë.
Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan nga ambienti i përshtatur me dhjetëra poste pune, 94 kompjuterë, 11 celularë, 2 iPad dhe materiale të tjera me interes hetimor”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

















