Për të dhjetën ditë radhazi, qytetarët vijojnë me protestën në kryeqytet kundër investimit në Zvërnec.
Ata kanë nisur grumbullimin në sheshin “Skënderbej”, vendtakimin e përhershëm të orës 18:00 përpara se t’i drejtohen së bashku kryeministrisë.
Gjatë rrugës për te kryeministria, atyre u bashkohen protestues të tjerë apo edhe ata që i presin tashmë para institucionit.
Kërkesa e tyre kryesore mbetet dorëheqja e qeverisë, ndërsa kanë artikuluar edhe idenë e një partie të re politike.
Një ditë më parë, protesta ‘u kap’ nga Sali Berisha dhe punonjës të televizionit të familjes së tij, Syri Tv, që morën në duar mikrofonin për të bërë deklarata. Kjo vijoi derisa një prej tyre, sërish punonjës i Syri Tv, u mbylli fjalimet qytetarëve.
Këta të fundit janë shprehur vazhdimisht për mospërfshirjen e klasës politike në protestë, ndërsa nuk munguan as thirrjet kundër Berishës dhe shprehjet “opozitë e shitur.”
Në protestën e djeshme ishin të pranishëm edhe Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë dhe Adriatik Lapaj i Shqipëria Bëhet.














