Kryeministri Edi Rama kundërshtoi deklaratat se projekti i shumëdebatuar në Zvërnec është pezulluar, duke thënë se nuk mund të pezullohet diçka që nuk është miratuar kurrë. Në një debat me një gazetare rumune gjatë konferencës me mediat europiane, Rama tha se raportimet për pezullimin e projektit janë të pavërteta dhe se puna për hartimin e tij vazhdon.
“Çfarë projekti është pezulluar? Si mund të pezullohet diçka që nuk ekziston? Pse thoni që është pezulluar? Cilat autoritete e kanë thënë këtë?”, pyeti Rama. Pasi gazetarja iu përgjigj se këtë informacion e kishte marrë nga ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, kryeministri këmbënguli se bëhet fjalë për një informacion të pasaktë.
“Unë nuk e di çfarë ka thënë ai, por nëse e ka thënë këtë gjë, e ka gabim. Sepse nuk ka një projekt të pezulluar. Kam një mik timin dhe më duhej ta takoja për arsye të caktuara. Më tha se ishte vonë. E pyeta nëse kishte ndonjë problem. Më tha se ishte në protestë. Ky person është njeri shumë i mirë, i arsimuar, mysliman, jo fanatik, por frekuenton xhaminë. I thashë: ‘Pse dole në protestë?’ Më tha: ‘Me këtë gardhin, për të zbatuar atë që do Bibi Netanjahu, e ke tepruar.’ I thashë: ‘Ej, unë nuk jam media sociale. Ta ka zënë mendjen media sociale, por nuk është e vërtetë.’ Pra, këto gënjeshtra ua kanë zënë mendjen njerëzve, sepse projekti nuk është pezulluar dhe nuk është anuluar kurrë, sepse nuk është miratuar kurrë. Ndërsa flasim, puna vazhdon për hartimin e tij. Unë e them dhe ju vazhdoni. Kjo është çmenduri. Nuk mund të jetë fjala ime kundër tuajës. Ka të bëjë me faktet. Nuk shoh asnjë lloje prove. Unë them që ende nuk ka projekt, unë them që ende nuk kemi vlerësimin mjedisor, që po punohet mes njerëzve më të mirë. Po ju them ‘prisni dhe do të shohim’, mos paragjykoni, mos më tregoni flamingot.”, tha Rama.















