142 të burgosur në burgun e Fushë-Krujës janë trasnferuar drejt burgjeve të tjera të vendit mëngjesin e së shtunës.
Zhvendosja e tyre është bërë në zbatim të një plani masash të marra nga Drejtoria e Burgjeve, për shkak të nisjes së rikonstruksionit të godinës së burgut të Fush-Krujës.
Transferimi masiv i të burgosurve është bërë në masa të rrepta sigurie nga forcat operacionale të burgjeve, përmes auto-burgjeve të vendosur në autokolonë.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, nga 142 të burgosurit e zhvendosur nga Fushë-Kruja, 85 prej tyre janë transferuar në burgun e Peqinit, ndërsa 57 të tjerët në burgun e Durrësit.
Për lëvizjen e të burgosurve dhe itenerarin që do të ndiqnin dy autokolonat nga Fushë-Kruja drejt Durrësit dhe Peqinit janë njoftuar Drejtoritë e Policisë së Tiranës e Elbasanit dhe komisariatet përkatëse.
Sipas burgjeve, transferimi është kryer sipas planifikimit, pa asnjë problem deri në dy burgjet e tjera, ku më tej janë marrë masat e mëtejshme për pritjen, kontrollete nevojshme dhe sistemimin e të dënuarve.

















