Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për 8 prej pjesëtarëve të grupit Rraja, mes tyre dhe djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Rexhep Rraja. Ndërsa dy prej tyre Sokol Qaja dhe Agim Nina nuk bënë ankim.
Islam Sefa, Jani Çavo, Aldo Gjini, Marvin Bushati, Përparim Rraja, Gazmir Rraja, Rexhep Rraja, Zamir Aliaj u arrestuan me urdhër të SPAK në dhjetor.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, grupi Rraja së bashku me 2 grupe të tjera, kanë trafikuar drogë nga Shqipëria drejt Malit të Zi me destinacion Gjermaninë, nga Shqipëria drejt Turqisë si edhe nga vendet e Amerikës së Jugut drejt vendeve të BE-së.
Mbeten në fuqi masat “arrest ne burg”
- Islam Sefa
- Rexhep Rraja
- Perparim Rraja
- Gazmir Rraja
- Aldo Gjini
- Zamir ALiaj
- Jani Cavo
- Marvin Bushati
Nuk bënë ankim
Sokol Qaja dhe Agim Nina
KOMUNIKIM PËR MEDIAN I GJKKO
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më datë 24.01.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 1 akti, datë 19.01.2026 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve I.S, J.Ç, A.Gj., M.B., P.Rr., G.Rr., R.Rr., dhe Z.A.: “Ankim kundër vendimit nr. 124, datë 09.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Caktimin e masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale. Ankim kundër vendimit nr. 126, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arresti në burg”, parashikuar nga neni 238, i Kodit të Procedurës Penale” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e Vendimit nr. 124, datë 09.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
- Miratimin e Vendimit nr. 126, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për sa i takon disponimeve kundrejt Z. I.S., Z. J.Ç., Z. A.Gj., Z. M.B., Z. P.Rr., Z. G.Rr., Z. R.Rr., Z. Z.A..
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar. U shpall në Tiranë, me datë 24.01.2026.

















