Real Madridi u mposht 3-2 nga Albacete dhe u eliminua nga Kupa e Mbretit që në fazën e 1/8-ave. Humbja e dytë radhazi për madrilenët që u mposhtën edhe nga Barcelona në finalen e Superkupës së Spanjës.
Tanimë humbja nga ekipi i La Liga 2 ka nxjerrë në pah problemet e “Galaktikëve” të cilët më shumë se në fushë problemin e kanë në dhomat e zhveshjes.
Pas eliminimit, kapiteni Dani Carvajal nuk është fshehur, por ka qenë kritik me të tijët.
“Kemi prekur fundin, duhet të shfaqemi edhe kur humbasin dhe kjo është ajo që na takon tani. Ne lojtarët jemi përgjegjësit kryesorë. Nuk mund të them dot gjë tjetër. Çfarë na mungoi? Po ta dinim nuk do të humbisnim. Nuk duhet të jesh shumë inteligjent për ta ditur këtë. Kemi prekur fundin, na eliminoi një skuadrë e ligës së dytë. Urime atyre. Na takon të bëjmë autokritikë menjëherë. Jemi në lojë edhe për 2 kompeticione të tjera dhe do të luftojmë deri në fund për to”, tha ai.
Më pas kapiteni ka edhe një ndjesë dhe një premtim për tifozët.
“Të luftojmë për gjithçka, i kërkojmë ndjesë tifozerisë. Nuk jemi, unë në radhë të parë, në lartësinë e pritshmërive të këtij klubi dhe do të ‘japim jetën’ në muajt e ardhshëm që kjo situatë të ndryshojë rrënjësisht”, tha kapiteni i ‘Los Blancos’.
Ndeshja e radhës për ‘Galaktikët’ është të shtunën në orën 14:00 në shtëpi kundër Levantes, duel që vlen për raundin e 20-të në La Liga.

















