Forcat e Armatosura vijojnë angazhimin në terren për menaxhimin e situatës së shkaktuar nga reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin. Në një njoftim të shpërndarë për mediat bëhet e ditur se efektivët e Komandës Mbështetëse dhe Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut të Forcës Tokësore, janë të dislokuar në zonat e prekura nga përmbytjet, me fokus mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Aktualisht, mbi 155 efektivë, 37 mjete dhe 7 motopompa janë angazhuar në qarqet Vlorë, Fier, Durrës dhe Gjirokastër, si dhe në çdo zonë ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja, me qëllim garantimin e sigurisë së banorëve dhe menaxhimin e situatave emergjente.
Në Vlorë, janë angazhuar 37 efektivë, 4 mjete dhe 3 gomone dhe një ambulancë me 2 efektivë mjekësorë.
Në Durrës janë angazhuar 61 efektivë, 17 mjete, 5 gomone, 7 agregate motopompe, nga të cilat 4 janë me fuqi të lartë thithëse, 1 me fuqi të mesme dhe 2 me fuqi të vogël.
Në Gjirokastër janë angazhuar 27 efektivë me 4 mjete. Në zonën e urës së Mifolit në fshatin Ferras, në Fier po punojnë 23 forca, 34 mjete dhe 1 motovarkë.
Sakaq, në Kurbin u zhvillua një operacion xhenierik për të pastruar rrugët me 3 efektivë dhe 2 mjete.
Forcat e Armatosura, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, vijojnë punën në terren për garantimin e sigurisë së banorëve dhe mbajtjen e situatës nën kontroll.

















