Denis Deliu, ish-ushtaraku i Forcave të Armatosura, ka rrëfyer në emisionin “Opinion” detaje mbi mënyrën se si rekrutohen dhe stërviten Forcat Speciale Amerikane, duke theksuar se ka qenë pjesë e njësisë elitare DELTA. Deliu foli për përgatitjen fizike dhe psikologjike nga më ekstremet, operacionet e famshme amerikane dhe mentalitetin e këtyre njësive.
Sipas tij, Forcat Speciale Amerikane i nënshtrohen një procesi shumë të ashpër përzgjedhjeje dhe stërvitjeje, ku testohen jo vetëm aftësitë fizike, por edhe qëndrueshmëria mendore. “Janë të përgatitur për çdo skenar. Bëjnë stërvitje nga më ekstremet, duke kaluar teste pagjumësie dhe situata të ndryshme, sepse ata gjithmonë mendojnë dhe përgatiten për më të keqen, përfshirë edhe rastin e marrjes peng”, u shpreh Deliu.
Deliu foli edhe për aspektin e përgatitjes në rast kapjeje. “Ka stërvitje që simulojnë torturën, jo për të dëmtuar, por për të mësuar si të përballosh presionin psikologjik dhe fizik nëse bie në duart e armikut”, theksoi ish-ushtaraku, duke nënvizuar se ky trajnim është jetik për mbijetesën dhe ruajtjen e informacionit kritik.
Ai theksoi se një nga elementët kyç të përgatitjes është përballja me stresin ekstrem dhe presionin e vazhdueshëm. “Stërviten deri në kufijtë njerëzorë. Pagjumësia përdoret si test për të parë sa rezistent është truri dhe trupi në kushte reale operacioni”, tha ai, duke shtuar se këto metoda nuk janë të rastësishme, por pjesë e një doktrine të mirëmenduar ushtarake.
Sa i përket pajisjeve, ai tha se Forcat Speciale Amerikane janë të pajisura me teknologjinë më moderne. “Janë të pajisur me armë moderne, pa diskutim, dhe me mjete që u japin avantazh në çdo terren”, deklaroi Deliu, duke shtuar se teknologjia shkon gjithmonë paralel me përgatitjen njerëzore.
Në rrëfimin e tij, Denis Deliu preku edhe disa nga operacionet më të famshme amerikane të kryera ndër vite, duke nënvizuar se suksesi i tyre lidhet drejtpërdrejt me nivelin e lartë të stërvitjes dhe disiplinës. “Asgjë nuk lihet në dorë të rastësisë. Çdo detaj planifikohet dhe çdo dhe çdo skenar parashikohet”, tha ai.
Forcat Speciale Amerikane, përfshirë njësinë elitare DELTA Force, konsiderohen ndër më të përgatiturat në botë. Ato përdoren kryesisht për misione kundër terrorizmit, çlirime pengjesh dhe operacione sekrete me rrezik të lartë. Procesi i rekrutimit është shumë selektiv dhe vetëm një përqindje shumë e vogël e kandidatëve arrin të kalojë të gjitha fazat e përzgjedhjes dhe stërvitjes.

















