Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka ushtruar të drejtën e votës në kuadër të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, duke e cilësuar procesin zgjedhor si një moment kyç për demokracinë dhe të ardhmen e vendit.
Pas votimit, Osmani shprehu shpresën që dita zgjedhore të zhvillohet në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike, me pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve. Ajo theksoi se zgjedhjet janë mekanizmi përmes të cilit vendimmarrja rikthehet tek qytetarët.
Presidentja u shpreh se pret që rezultatet e këtyre zgjedhjeve të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të një parlamenti dhe qeverie të re, të domosdoshme për përballimin e proceseve të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare.
“Uroj që sot Republika jonë të ketë zgjedhje të qeta, të rregullta e demokratike. Uroj që të kemi zgjedhje me pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve me të drejtë vote. Zgjedhjet janë një proces i rëndësishëm ku vendimmarrja kthehet tek qytetarët tanë. Shpresoj që në rezultatet e këtyre zgjedhjeve të rezultojnë me krijim sa më të shpejtë të parlamentit dhe zgjedhjes së qeverisë të Kosovës të cilat janë të domosdoshme për procese të rëndësishme dhe të brendshme dhe ndërkombëtare për Republikën tonë. Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që janë angazhuar dhe që angazhohen edhe gjatë ditës së sotme që ky proces zgjedhor të jetë sa i më rregullt nga KQZ-ja tek institucionet tona të sigurisë dhe ato të drejtësisë”, ka thënë Osmani.
Osmani falënderoi gjithashtu KQZ-në, institucionet e sigurisë dhe drejtësisë për angazhimin në garantimin e një procesi zgjedhor të rregullt.

















