Kryeministri Edi Rama ka komentuar për herë të parë hetimin e SPAK ndaj AKSHI-t që ka përfshirë dhe drejtuesen Mirlinda Karçanaj teksa foli për raportin e Bankës Botërore lidhur me transformimin digjital të sektorit publik.
Rama tha se Shqipëria sot ka bërë një progres të madh duke u renditur në raportin e fundit në vendin e 14-të krahasuar me vitin 2022 kur ndodhej në vendin e 64 dhe këtë rezultat ai ia atribuon punës së AKSHI-t dhe drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, e cila e drejton këtë institucion prej 12 vitesh. Kryeministri u shpreh se akuza për Karçanajn janë të hatashme dhe se vetëm drejtësia do të zbulojë të vërtetën.
“Banka Botërore ka publikuar GovTech Maturity Index 2025, ose e thënë shqip, raportin që njëherë në 2-3 vite vlerëson 197 vende të botës për nivelin e transformimit digjital të sektorit publik. E di që sot AKSHI përballet me një hetim nga SPAKU për përdorimin e fondeve dhe Linda Karçanaj, gruaja që ka udhëhequr jeësimin e vizionit tonë qeverisës, për transformimin historik digjital te qeverisjes se Shqipërisë, me dije, vullnet e përkushtim të përditshëm për 12 vjet me radhë, gjendet nën një mase sigurie me një akuze te hatashme, për te cilën duhet pritur me durim vetëm nga drejtësia, e s’mund të pritet asgjë nga 700 tenxheret e çorbës politike mediatike, që të dalë dalja deri në fund e vërteta e saj cilado qoftë ajo.
Por unë di po ashtu, që falë saj dhe skuadrës së AKSHI-it, ku punojnë pa orar plot vajza e djem të talentuar të botës së re të teknologjisë, Shqipëria ka bërë një kapërcim të madh, krahasuar me vitin 2022 kur ka dalë raporti paraardhës i Bankës Botërore për qeverisjen digjitale.
Këtë herë, jo vetëm vijojmë të renditemi në Grupin A – i quajtur grupi me Maturitet të Lartë, ku kemi 0.939 pikë nga 1 që është maksimumi, por falë një rritjeje të ndjeshme, krahasuar me raportin paraardhës, ku kishim 0.752, këtë vit kemi kaluar nga vendi i 68-të në vendin e 14-të, mes gjithë atyre vendeve, duke lënë pas pikërisht falë punës e vullnetit për ta vënë teknologjinë e re në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të Shqipërisë, vende me emër të madh, si Danimarka, Singapori apo Mbretëria e Bashkuar, e me radhë.
Ky është një raport objektiv dhe profesional, i cili vlerëson katër fusha kryesore, që mbulojnë sistemet bazë qeveritare, shërbimet publike online, angazhimin digjital të qytetarëve dhe faktorët mundësues institucionale e ligjorë, dhe pa diskutim nuk justifikon absolutisht asnjë shkelje të ligjit që pretendohet se ka ndodhur në aktivitetin e AKSH-it, gjë që mund të na e thotë vetëm procesi gjyqesor, por nga ana tjetër e gjithë zhurma histerike e 700 tenxhereve të çorbës politike mediatike, nuk e zhbën dot rezultatin fantastik të Shqipërisë, në këtë fushë të veprimtarisë së AKSHI-t, që mund ta verifikoni lehtësisht përmes linkut të raportit.”, tha Rama.

















