Kryetari i PD, Sali Berisha, reagoi duke e denoncuar si një vjedhje të rëndë shtetërore. Përmes një postimi në Facebook, Berisha deklaron se shishe vere shumë të rralla që vlejnë miliona euro janë zhdukur nga vinoteka e Ergys Agasit pas një kontrolli të BKH-së.
Sipas Berishës, vera ishte kontrabandë pa pulla fiskale dhe u mor në administrim nga shteti, por më pas u transportua fshehurazi me kamionë dhe u zëvendësua me shishe të tjera.
“Meqenëse ata ishin mall kontrabandë u ngarkua Dogana dhe Tatimet e Tiranës t’i merrnin në roje ato siç veprohet në rastet e mallrave kontrabandë. Por, sipas qytetarit dixhital, nën kujdesin e drejtorit të doganës së Tiranës, drejtorit të përgjithshëm të policisë Proda, një komando e përbërë nga Elvis Doçi, Suel Çela dhe dy persona të tjerë të gjitha shishet e verës u ngarkuan në pesë kamionë të cilët sipas kamerave u transportuan drejt Linxës”, shkruan Berisha.
Lideri demokrat, Sali Berisha akuzon drejtues institucionesh dhe persona të lidhur me krimin e organizuar, duke theksuar se pas kësaj afere qëndron Edi Rama.
















