Foltorja e kësaj të hëne e Partisë Demokratike përkoi me Ditën Kombëtare të Rinisë. Në fjalën e tij adresuar mbështetësve para kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, teksa solli në vëmendjen lëvizjen studentore të dhjetorit të 35 viteve më parë, e cilësoi vendin ku u mblodhën si sheshin e lirisë. Ai vlerësoi studentët e dhjetorit 1990 dhe rolin e tyre historik në rrëzimin e diktaturës.
“Përshëndetjet më të përzemërta ju, qytetareve dhe qytetarëve të pranishëm sonte në këtë shesh, sheshin e lirisë. Një përshëndetje dhe nderimin më të madh studenteve dhe studentëve të dhjetorit 1990, që të prirë nga tribuni legjendar i kombit, nga studenti Azem Hajdari, ndanë epokat, përmbysën epokën e shtypjes më të egër, shpërfytyrimit më të madh të shqiptarëve dhe çelën dyert e lirisë për kombin tonë, çelën dyert e përparimit, e të ardhmes së shqiptarëve. Çelën dyert për zgjidhjen e problemit, e çështjes shqiptare”,deklaroi Berisha.
Berisha e krahasoi lëvizjen studentore të vitit 1990 me energjinë e gjeneratës së sotme të të rinjve në botë, por vuri në dukje se kushtet në të cilat vepruan studentët shqiptarë ishin shumë më të vështira.
“Këto dy vjet është shkruar dhe folur shumë për gjeneratën Z, gjeneratë e cila, janë të rinjtë që në fakt përmbysën diktatura mizore në Nepal, në Bangladesh dhe në vende të tjera. E vërteta është se kjo gjeneratë është bërë zëdhënësja më e guximshme, më e shkëlyqer e idealeve të kohës, e aspiratave të kohës. Është kjo gjeneratë pra në krye të betejës për liri të shoqërisë njerëzore. Por po të kthehemi 35 vite më parë, studentët e Universitetit të Tiranës ishin në kushte më të pakrahasueshme se studentët e asnjë vendi tjetër”, u shpreh kreu demokrat.
Ai rikujtoi protestën e 8 dhjetorit të një grupi të vogël studentësh të Universitetit të Tiranës, të cilët, sipas tij, firmosën veten si të pamposhtur dhe në vetëm tri ditë gjunjëzuan regjimin e kohës.
“Një grup i vogël studentësh, jo më shumë se qindra, nuk qenë dakord dhe një natë të 8 dhjetorit, dolën në protestë në qytetin e tyre. Ata në 1 të natës u pritën nga Presidenti i Republikës i asaj kohe, i cili pas takimit u rezervoi atyre kërbaçin e Sigurimit të Shtetit. Miq, të nesërmen ata mbushën sheshin dhe rrugët, firmosën veten si të pamposhtur. Qëndruan dhe në një betejë treditore gjunjëzuan regjimin më të egër, më shtypës, më represiv të kohës”, u shpreh Berisha.
Sipas kreut demokrat, sot Shqipëria nuk është më diktaturë, por Partia Demokratike thekson ai, mbetet forca politike që u del zot shqiptarëve.
“Sot, pas 35 vitesh, ne nuk jemi më një diktaturë moniste. Studentët e dhjetorit nuk kishin një forcë politike që t’u dilte zot. E vërteta është se edhe qytetarët e trembur, dy ditët e para nuk u afruan me ta. Por ata vazhduan dhe fituan. Kurse sot, shqiptarët kanë një forcë politike dhe kjo është PD”.
Ai theksoi se PD-ja, e lindur nga Lëvizja e Dhjetorit, është një nga të paktat parti në hapësirën ish-komuniste që i ka mbijetuar përpjekjeve për ta zhdukur dhe që është e vendosur të rikthejë idealet e Dhjetorit, duke vënë në qendër lirinë, votën e lirë, dinjitetin dhe interesin kombëtar.
“Parti e themeluar nga studentët e dhjetorit. Parti e idealeve të dhjetorit. Parti, e cila është e dyta dhe e vetme në gjithë hapësirën ish-komuniste që iu mbijetoi tallazeve dhe të gjitha përpjekjeve për ta zhdukur dhe mblidhet sot këtu e betuar si kurrë më parë për të rikthyer edhe njëherë në piedestal idealet e larta të lëvizjes së dhjetorit, lirinë e shqiptarëve, votën e lirë, dinjitetin e tyre, familjen shqiptare, interesin kombëtar të shqiptarëve”.
















