Në zemër të Korçës, aty ku historia dhe kultura ndërthuren në çdo hap, është vendosur një monument që rikthen në kujtesën publike një ndër figurat më të shquara, jo vetëm të qytetit, por edhe të Shqipërisë.
Busti i Llazar Zai Fundos, intelektualit dhe patriotit korçar, u vendos në sheshin që mban emrin e tij, duke shënuar një moment të rëndësishëm për rivlerësimin e figurave të persekutuara gjatë regjimit komunist. Busti është vepër e skulptorit Adi Dule.
Vendosja e bustit të tij në hapësirën publike shënon një kthim të vonuar, por të rëndësishëm, të vëmendjes ndaj jetës dhe veprës së një personaliteti që i parapriu kohës së vet dhe që u përball tragjikisht me pasojat e bindjeve dhe idealizmit të tij.
Ky akt nga Bashkia e Korçës synon të rikthejë në qendër të historisë një figurë që ka lënë gjurmë në mendimin politik shqiptar, duke u bërë njëherazi pjesë e kujtesës qytetare dhe një ndër figurat simbol të luftës për mendim të lirë.
Historiani dhe profesori i njohur Aurel Plasari e cilësoi bustin një borxh historik të shlyer, duke theksuar se dokumentet tashmë provojnë se ekzekutimi i Llazar Fundos ishte një akt personal i Enver Hoxhës, i udhëhequr nga xhelozia dhe ndëshkimi ndaj atyre që guxonin të mendonin ndryshe.
Sipas Plasarit, rasti i Fundos është një paralajmërim i fortë për çdo kohë, mbi cenueshmërinë e mendimit të lirë kur përballet me sundim autoritar.
“Mendoj se monumenti që i ka ndërtuar Korça është një borxh historik, një vlerë e shtuar kujtesës së Korçës dhe të Shqipërisë, për një viktimë që më thjesht sesa ta quajmë të diktaturës, ishte viktimë personale e Enver Hoxhës. Kjo është një e vërtetë që duhet theksuar në histori se tashmë është e dokumentuar, pavarësisht nga interpretimet e ndryshme që i janë dhënë krimit për ekzekutimin e tij fizik dhe për torturimin e tij. Të mos harrojmë që në mesazhin e tij për të vrarë Zai Fundon, Enver Hoxha që s’ishte ende në pushtet dhe kishte filluar vrasjet, jepte porosi që t’i bëheshin disa pyetje, dhe e para ishte ‘Përse ka vajtur në Kosovë?’ Kjo duhet të na bëjë të kuptojmë edhe më qartë kontekstin e ekzekutimit të një intelektuali si Llazar Fundo, si tregues i xhelozisë së sundimtarëve kundër intelektualëve dhe njerëzve të mendjes. Është mësim historik për çdo kohë, jo vetëm për kohën kur ka ndodhur tragjedia e zhdukjes së tij fizike”, u shpreh Plasari.
Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, tha se vendosja e bustit erdhi pas vendimeve të Këshillit Bashkiak për t’i dhënë figurës së Zai Fundos vendin e munguar në hapësirën publike.
Filo rikujtoi se Fundo ishte ndër komunistët e parë shqiptarë, por edhe ndër të parët që u distancua nga ideologjia, pasi u përball me realitetin represiv të Bashkimit Sovjetik. Sipas tij, busti është një investim në kujtesën e brezave të rinj, të cilët sot kanë mundësinë të njohin një personalitet për të cilin nuk është folur për dekada me radhë.
“Ditën e djeshme është vendosur në sheshin që mban emrin e Zai Fundos, edhe busti i këtij personaliteti të jashtëzakonshëm të qytetit të Korçës dhe gjithë Shqipërisë. Vendosja e këtij busti ndjek dy vendime të Këshillit Bashkiak, i pari për vënien e emrit të Zai Fundos këtij sheshi në pedonalen e qytetit dhe i dyti për vendosjen e bustit të Zai Fundos.
Zai Fundo ka qenë një personalitet i jashtëzakonshëm i Korçës, megjithëse për fat të keq shumë pak i njohur. Ai ishte një intelektual, një patriot antifashist dhe një njeri kurajoz për të thënë e për të mbrojtur ato që ishin bindjet dhe idetë e tij. Është pikërisht falë kësaj kuraje që Zai Fundo ishte ndër komunistët e parë të Shqipërisë, por në të njëtën kohë u bë edhe antikomunisti i parë në momentet kur pa, nga eksperienca e Bashkimit Sovjetik, që komunizmi nuk ishte ai i cili proklamohej në teori.
Besoj që me vendosjen e këtij busti në qendër të Korçës ne i bëjmë nder kësaj figure historike, por në të njëjtën kohë, ne edhe u mësojmë historinë brezave të rinj, të cilët nuk kanë pasur mundësinë ta njohin për faktin që edhe gjatë periudhës së komunizmit, kjo figurë u tentua që të lihej tërësisht në hije, në errësirë, por edhe atëherë kur përmendej, përmendej në konotacion negativ.
Jam shumë i kënaqur që kemi mundur ta realizojmë, është një projekt i cili është mbështetur edhe nga ana e kryeministrit që dua ta falënderoj, edhe nga ana e deputetit të Korçës dhe kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, z. Niko Peleshi, dhe patjetër edhe nga ana e bashkisë, nga ana ime si propozues i vendosjes së këtij busti”, tha Filo.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Qarkut Korçë, Ledina Alolli, e vlerësoi vendosjen e bustit si një ngjarje historike për qytetin. Ajo e quajti Zai Fundon një nga figurat më të ndritura të Korçës dhe një intelektual të mendimit të lirë, i cili u bë viktimë pikërisht për shkak të bindjeve të tij dhe dëshirës për të folur hapur.
“Llazar Zai Fundo është një nga bijtë e Korçës, një nga figurat më të ndritura të saj, por dhe një ndër patriotët më të shquar. Vendosja e bustit të Zai Fundos në Korçë nuk është vetëm një simbol, por unë mendoj që është një kujtesë për këtë emër të ndritur, patriot të shquar që ishte një intelektual i mendimit të lirë, ndaj sot është një nder i madh për Korçën. Jo vetëm për Korçën, por për gjithë Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët kudo ata ndodhen. Fundo ishte një ndër viktimat e komunizmit, sepse ai përqafoi pikërisht mendimin e lirë dhe donte të ishte një zë ndryshe për historinë, dhe pse jo për Korçën tonë të dashur dhe për të gjithë Shqipërinë. Vendosja e bustit të tij është në nder dhe respekt për të gjithë ne”, tha Alolli.
Me vendosjen e këtij busti, Korça jo vetëm nderon një nga bijtë e saj më të shquar, por bën një hap të rëndësishëm drejt rikthimit të së vërtetës historike.
Figura e Llazar Zai Fundos, e shtypur dhe e zbehur nga propaganda komuniste, po merr sot vendin e duhur në kujtesën kolektive, duke dëshmuar se e vërteta historike, edhe kur vonon, nuk humbet kurrë.
Ky monument nuk është vetëm një simbol për të kaluarën, por një mesazh për të ardhmen, për rëndësinë e fjalës së lirë, të mendimit kritik dhe të guximit intelektual. Në qendrën e Korçës, Zai Fundo kthehet sot jo vetëm si figurë historike, por si kujtesë e gjallë e vlerave që i kanë dhënë formë qytetit dhe identitetit tonë kombëtar./CNA

















