Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka thirrur sot në burgun 313 mbrojtësin e tij ligjor, Avokatin Kujtim Cakrani dhe i ka kërkuar t’i bëjë kërkesë prokurorit të SPAK, Alfred Shehu për t’u pyetur si person që ka dijeni për rrethana dhe fakte lidhur me “21 Janarin”, protestë në të cilën armët e shtetit vranë 4 protestues.
Më 21 Janar 2011, Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës, dhe për më tepër, ai ishte dhe shkaku kryesor i thirrjes së protestës.
Hetimet për krimin shtetëror të 21 janarit nisën nga SPAK korrikun e vitit të kaluar, pas regjistrimit për veprat penale të vrasjes në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim, kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, shpërdorim detyre dhe pengim të drejtësisë.

















