Pas më shumë se 12 orësh rezistencë dhe negociatash intensive, dy personat e kërkuar që kishin qëndruar të izoluar në një banesë në fshatin Orosh të Fushë Arrëzit, janë dorëzuar para forcave të policisë. Negociatat nisën që prej orës 06:00 të mëngjesit, ndërsa në to u përfshinë edhe vëllezërit dhe motrat e tyre, të cilët u bënë pjesë kyçe për finalizimin pa gjakderdhje të operacionit.
Forcat e policisë së Pukës dhe njësia speciale RENEA kishin rrethuar banesën ku dyshohej se ndodheshin Juljan Cumrraku dhe Arben Uka, i njohur si Hamza Uka. Cumrraku, me origjinë nga fshati Orosh, dyshohet të ketë lidhje me grupe ekstremiste.
Fillimisht, dy të kërkuarit u pikasën nga patrullat e Policisë së Pukës, çka çoi menjëherë në ndërhyrjen e Forcave RENEA. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për t’u dorëzuar, ata kundërshtuan për orë të tëra duke u mbyllur brenda banesës dhe duke vështirësuar çdo ndërhyrje për shkak se dyshohej se ishin të armatosur rëndë.
Në vijim të negociatave, policia solli në vendngjarje edhe vëllain e Juljan Cumrrakut, si dhe familjarë të tjerë të dy personave, të cilët ndihmuan në bindjen e tyre për t’u dorëzuar. Pas orësh tensioni, të dy shtetasit kanë dalë nga banesa duke iu nënshtruar autoriteteve.
Operacioni është mbyllur pa persona te demtuar, ndërsa policia po vijon procedurat përkatëse për dy të arrestuarit.
Arben Uka dhe Julian Çumraku mendohet se kanë qenë më parë në Siri dhe i përkasin organizatave terroriste. Arben Uka i njohur edhe si Hamza Uka sipas informacionëve ka qene edhe Komando ne Ushtrine shqiptare.

















