Liderët evropianë po punojnë për një “kundërpropozim” për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, duke ndërtuar një plan paqeje të bazuar në “kushte alternative” krahasuar me atë të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara, dhe do të përpiqen të “bindin” Kievin ta mbështesë atë.
Kështu shkruan gazeta amerikane Wall Street Journal, duke shpjeguar se plani evropian pritet të jetë “më i favorshëm” për Ukrainën. BE-ja “shpreson ta ketë gati propozimin brenda pak ditësh”, raportoi WSJ, por Ukraina deri tani nuk ka bërë të ditur nëse do t’i bashkohet.
Zyrtarët evropianë kanë bërë të ditur se nuk janë përfshirë në hartimin e planit amerikan dhe se nuk janë informuar për përmbajtjen e tij deri të enjten në mbrëmje.














