Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar pasi ditën e sotme Ministria e Drejtësisë kërkoi ekstradimin e tij nga Zvicra.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ahmetaj ka thënë se kërkesa për ekstradim ka dy vite që është bërë, pra që në gusht të vitit 2023, teksa shtoi se një kërkesë e tillë mund të bëhet vetëm një herë.
Ahmetaj në reagimin e tij shtoi se ka mbi një vit që hetohet dhe sipas tij, prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis tij dhe kujtdo tjetër, shkruan A2 CNN.
Ai shtoi gjithashtu se kjo zhurmë për të bëhet për të hequr vëmendjen nga skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi i qeverisë me kartelet e krimit.
Reagimi i Ahmetajt:
Një qëndrim përsa i përket lajmit të sotëm të rremë që Ministria e Drejtësisë paska dorëzuar një kërkesë të re për ekstradim, dua të sqaroj sa vijon:
1. Kërkesa për ekstradim ka mbi dy vjet që është bërë me urgjencë në 18 Gusht të vitit 2023. Ligji e përcakton që bëhet vetëm një kërkesë. Dhe sikur të kishte do të ishte në vazhdën e tymnajës…
2. Pseudo-transferta ka mbi një vit që hetohet dhe prokurori e di mirë që nuk ka asnjë transfertë midis meje dhe kujtdo tjetër, e aq më tepër biznesmenëve apo biznesmenit në fjalë. Le të ngelet si sfidë!!! Shume shpejt “përkthehet” letër-porosia.
3. Pse bëhet zhurma e iniciuar me qëllim nga regjimi??? E thjeshtë fare! Të hiqet vëmendja nga mega skandalet e fundit dhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar dhe kartelet e drogës.
4. Më shumë detaje, në vijim….

















