Këshilli i Bashkimit Europian ka bërë të ditur agjendën e konferencës së shtatë ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë që do të zhvillohet më 17 nëntor në Bruksel. Sipas njoftimit zyrtar bëhet e ditur se kryetare e konferencës do të jetë Marie Bjerre, Ministre për Çështjet Evropiane.
Konferenca do të nisë në orën 8:00 dhe më pas rreth orës 9.20 do të ketë një konferencë për shtyp.
“Ky takim do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 5 ‘Burimet, bujqësia dhe kohezioni’, duke përfshirë Kapitullin 11 (bujqësia dhe zhvillimi rural), 12 (siguria ushqimore, veterinaria dhe fitosanitaria), 13 (peshkimi dhe akuakultura), 22 (politika rajonale dhe koordinimi i instrumenteve strukturore) dhe 33 (dispozitat financiare dhe buxhetore)”, thuhet në faqen zyrtare të BE-së.
Dy ditë më parë edhe kryeministri Edi Rama njoftoi mbajtjen e konferencës së shtatë ndërqeveritare me BE-në, për hapjen e grupkapitullit të fundit të negociatave.
Kryeministri Rama nënvizoi se me hapjen e këtij grupkapitulli, Shqipëria arrin të pamundshmen, sepse finalizon të gjithë kapitujt e negociatave brenda 12 muajsh duke arritur një rekord absolut në progresin e integrimeve europiane.

















