Opinion.al ka siguruar një tjetër video të atentatit ku u ekzekutua me breshëri plumbash Gilamndo Dani dhe mbeti i plagosur rëndë punonjësi i AMP-së Mustafa Sheqeri. Në video shihet sesi ekzekutori i afrohet makinës ku po udhëtonin Dani dhe Sheqeri dhe qëllon nga afër ndaj Danit dhe më pas largohet.
Pas atentatit autorët largohen me makinën tip Toyota në drejtim të Fushë-Krujës.
Gjatë natës, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës kanë kryer një operacion të madh kërkimi në atë zonë. Sipas burimeve, 5 grupe të FNSH kanë qëndruar nga ora 23:00 deri në orën 3:00 të mëngjesit në zonë, duke kryer kontrolle në lokale e banesa, si dhe duke ndaluar automjete të shumta për kontrolle.
Ndërkohë, mësohet se Mustafa Sheqeri, i cili ishte punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, vijon të mbetet në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës. Sheqeri, i cili ishte drejtues i automjetit tip “Mercedes Benz” me të cilin udhëtonte viktima Gilmando Dani, është i intubuar dhe ndodhet ne reanimacion.
Ndërkaq një oficer i komisariatit nr. 3 dhe një polic kanë rënë në prangat e policisë me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të vulave e stampave ose i formularëve. Dyshohet Bruno Cara dhe Arshim Zajmi se këta dy persona kanë ndihmuar Mustafa Sheqerin të bëhet pjesë e AMP-së.














