Kryeministri hungarez, Viktor Orban, tha se shteti i tij ka përfituar përjashtim nga sanksionet amerikane sa i përket blerjes së energjisë ruse. Këto deklarata ai i bëri pas bisedimeve që zhvilloi me presidentin amerikan, Donald Trump, në mes të një bllokimi të përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Ne kemi marrë një përjashtim të plotë nga sanksionet për gazsjellësit TurkStream dhe Druzhba”, tha Orban në një konferencë për media pas takimit të tij me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 8 nëntor.
Lidhur me këtë ende nuk kanë reaguar zyrtarët amerikanë. Megjithatë, më herët Trump tha se do ta shqyrtonte një gjë të tillë, duke pranuar se Hungaria ka opsione të kufizuara sa i përket importit të energjisë.
“Po e shikojmë këtë sepse është shumë e vështirë për të që të sigurojë naftë dhe gaz nga zona të tjera”, tha Trump teksa e mirëpriti aleatin e tij të kamotshëm, Orban.
Orban, që shpesh ka kritikuar Evropën për atë që e cilëson si qëndrim të ashpër ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, tha se energjia ruse është “jetike” për Hungarinë.
Ai shtoi se pozita gjeografike e Hungarisë e kufizon shtetin dhe e detyron që të blejë naftë ruse përmes naftësjellësit Druzhba, që kalon nëpër territorin e Ukrainës.
Ndërprerja e qasjes do të kishte pasoja të rënda për hungarezët, tha Orban, duke shtuar se çështja nuk ka të bëjë me politikën.
“Është një realitet fizik sepse ne nuk kemi port”, tha ai.
Gjatë takimit, Trump kritikoi shtetet e tjera evropiane për blerjen e energjisë ruse, duke sugjeruar se ato janë në një pozicion më të mirë se Hungaria, e cila në lindje kufizohet me Ukrainën e shkatërruar nga lufta.
“Shumë nga ato shtete nuk i kanë ato probleme dhe blejnë sasi të mëdha nafte e gazi nga Rusia”, tha ai.
Sanksionet amerikane ndaj Rusisë
Para vizitës së parë të Orbanit në Shtëpinë e Bardhë pas disa vjetësh, dy udhëheqësit, që për një kohë të gjatë i bashkon ideologjia, u gjendën në anë të kundërta të politikës sa i përket importeve të naftës ruse.
Muajin e kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës në Rusi, pasi zhgënjimi i Trumpit u rrit për shkak të refuzimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për t’i dhënë fund pushtimit të Ukrainës.
Shërbimi hungarez i Radios Evropa e Lirë raportoi se bisedat me burime në Qeverinë hungareze sugjeruan se ata besonin se një marrëveshje për përjashtim nga sanksionet ishte e mundshme, duke ndjekur një precedent tjetër evropian – vendimin për të përjashtuar përkohësisht nga sanksionet degën gjermane të kompanisë Rosneft.
Sanksionet amerikane ndaj gjigantëve energjetikë rusë erdhën pas disa rundeve të pasuksesshme negociatash mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, të cilat në një moment pritej të diskutoheshin në një samit mes Trumpit dhe Putinit në Budapest.
Pak pas bisedës mes sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, Trump tha se “nuk do të humb kohë” duke u takuar me Putinin nëse udhëheqësi i Kremlinit nuk është gati që të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Mediat perëndimore kishin raportuar gjerësisht se kishte pasur pak ndryshim në qëndrimin e Rusisë për përfundimin e konfliktit që nga takimi i Trumpit me Putinin në Alaskë në muajin gusht, i cili nuk rezultoi me një armëpushim.
Më 8 nëntor, Trump tha se ende nuk sheh që Rusia është e gatshme të ndalë luftimet, megjithëse shtoi se ai ende e preferon Budapestin si një vend ku do të mbahej një samit i paqes, sapo të krijohen kushtet për një takim të tillë.
“Mosmarrëveshja kryesore me Rusinë është se ata nuk duan ta ndalin luftën në Ukrainë”, tha Trump.
Si Trump, ashtu edhe Orban u pajtuan se e shohin të mundshme përfundimin e konfliktit pothuajse katërvjeçar në një “të ardhme të afërt”, teksa udhëheqësi hungarez, që ka qenë aleati kyç i Rusisë në BE, tha se do t’i prezantonte Trumpit ide se si t’i jepet fund luftës.
Në deklarimet e tij për media po atë ditë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij do ta mbështeste një samit Trump-Putin në Budapest, por vetëm nëse ai do ta sillte paqen më afër.
Zelensky gjithashtu deklaroi se Ukraina do të gjente një mënyrë për t’i dhënë fund eksporteve të energjisë ruse drejt Evropës, duke e quajtur një sinjal të mirë faktin që “Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për këtë”.
“Rusia duhet të dalë humbëse nga lufta, dhe humbja e saj më e madhe është kur nuk mund të tregtojë burime energjetike”, shtoi ai./ REL















