Pas më shumë se 5 orëve në arratisje, është kapur në një zonë të thellë malore Bertil Alliaj, djali i xhaxhait që vrau Dalan Alliajn mbrëmjen e djeshme në Gjorm.
Ai është evidentuar gjatë kontrolleve në territor me dron termik. Kur e kanë rrethuar, nuk ka bërë rezistencë. Ka ngritur duart lart dhe ka thënë vetëm: “Dorëzohem”.
Alliaj është pyetur disa herë në vendngjarje mbi motivin që e ka shtyrë të vrasë kushëririn e tij, por nuk e ka treguar. Sipas të dhënave, nuk bëhet fjalë për një grindje banale të çastit; dyshohet për diçka të mbartur mes tyre kohët e fundit. Ai do të pyetet sërish në komisariat për të parë nëse do të tregojë motivin dhe dinamikën e ngjarjes.
Hetuesit kanë konfirmuar se autori e ka goditur 8 herë viktimën, nga një distancë e afërt. Dalan Alliaj ka qenë duke shkuar tek shtëpia e xhaxhait të tij, kur Bertili i ka dalë përballë dhe ka nisur të qëllojë me pistoletë 8 herë, të cilat i ka pasur të gjitha brenda trupit. Më pas ka nisur të ngjisë malin dhe të fshihet në zonën malore.
Rreth 10 persona, pesë prej të cilëve gjendeshin aty në vendngjarje, ndërsa pjesa tjetër familjarë, janë shoqëruar në polici. Ata janë pyetur për ngjarjen në fjalë, mënyrën si ndodhi, konfliktet e mundshme që mund të kishin të rinjtë, etj. Por as ata nuk kanë konfirmuar konflikte apo motive që mund ta kishin shtyrë autorin të kryente këtë vrasje.

















