Polonia nuk e përjashton mundësinë e një urdhër-arresti për Presidentin rus Vladimir Putin gjatë një fluturimi të mundshëm mbi vend, në rrugën e tij drejt Hungarisë, ku ai është planifikuar të udhëtojë për një samit të ri me Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Ministri i Jashtëm polak Radoslaw Sikorski e deklaroi këtë në një intervistë me Polskie Radio 24.
“Nuk mund të garantoj që një gjykatë e pavarur polake nuk do të lëshojë një urdhër-arresti me qëllim dorëzimin e të dyshuarit në Gjykatën e Hagës”, vazhdoi ai. Varshava, bëri të qartë ai, “nuk e përjashton një arrestim” dhe mund ta detyrojë aeroplanin të ulet pas urdhër-arresti të lëshuar nga ICTY.
“Unë besoj se pala ruse është në dijeni të kësaj, dhe për këtë arsye, nëse ky takim më në fund zhvillohet, shpresojmë që aeroplani të ndjekë një itinerar tjetër”, tha Sikorski, duke iu referuar një itinerari që duhet të shmangë fluturimin mbi Ukrainë me çdo kusht, por që do të duhet të kalojë hapësirën ajrore të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian.
Sikjorski diskutoi mundësinë e fluturimit mbi Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë dhe shprehu kritika të përtërira ndaj Hungarisë:
“Fakti që një vend i BE-së do të ftonte presidentin rus nuk është vetëm një katastrofë, por gjithashtu tregon pozicionin e vendit jo si pjesë e Perëndimit, por si një pikë e mesme midis Perëndimit dhe Rusisë”, u ankua ai.