Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se sipas të dhënave preliminare, në rundin e parë të zgjedhjeve lokale votuan 39.07 për qind të qytetarëve.
Në zgjedhjet paraprake, dalja kishte qenë 43 për qind, tha kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.
Radoniqi tha se në shumë prej vendvotimeve ka nisur numërimi i votave për kandidatët për kryetarë të komunave.
Pas këtij procesi do të numërohen edhe votat për asamblistët.
PDK-ja, e bindur se do të jetë në balotazh në Prishtinë
Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës tha se në bazë të informatave të partisë, kandidati i tyre për Prishtinë, Uran Ismaili, do të jetë në balotazhin e 9 nëntorit.
Sipas exit poll-eve të publikuara nga disa media në Kosovë, në Prishtinë në balotazh do të përballen Përparim Rama i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Hajrulla Çeku i Lëvizjes Vetëvendosje.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka nisur të publikojë rezultate për zgjedhjet lokale.
Çitaku po ashtu gjatë konferencës për media tha se partia e saj do të ketë më së shumti asamblistë në nivel vendi si dhe shtoi se PDK-ja “ka fituar më së shumti komuna pa balotazh dhe është në më së shumti komuna në balotazh”./REL