Autoritetet braziliane nëpërmjet Gjykatës së Lartë Federale kanë urdhëruar arrestimin paraprak të Ervin Matës, 38-vjeçarit shqiptar të shumëkërkuar nga SPAK. Sipas mediave vendase, Mata jeton në Brazil.
CNN në Brazil bën të ditur se urdhër-arresti u lëshua më 11 mars, por dekreti u publikua vetëm më datë 23 shtator. Çështja po përpunohet në mënyrë konfidenciale në Gjykatën Federale Supreme të Brazilit si pjesë e një kërkese për ekstradim, ndërsa Ervin Mata nuk është arrestuar ende.
Autoritet shqiptare kanë paraqitur një kërkesë në gjykatat braziliane për ekstradimin e biznesmenit. Në Shqipëri, Ervin Mata akuzohet nga SPAK për trafik droge, pjesëmarrje në një organizatë kriminale dhe shoqatë kriminale.
Sipas autoriteteve shqiptare, hetimet kanë mbledhur prova dhe tregojnë se biznesmeni koordinoi trafikimin e 240 kg kokainë në Frankfurt të Gjermanisë, në shtator 2020.
CNN i referohet edhe deklaratave të publikuara në mediat shqiptare, sipas të cilave, Mata është në kërkim ndërkombëtar që nga nëntori i vitit 2023. I arratisuri dyshohet gjithashtu për organizimin dhe financimin e vrasjeve.
Në vendim, kreu i Gjykatës së Lartë Federale në Brazil Alexandre de Moraes deklaron se paraburgimi synon të sigurojë ekzekutimin e çdo urdhri ekstradimi.
Sipas SPAK dhe informacioneve të përgjuara përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, Ervin Mata konsiderohet si organizator i një rrjeti të strukturuar kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kokaine nga Amerika Latine në Evropë.

















