Kryeministri Edi Rama është shprehur se kandidatja e Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu, ka gjetur mbështetjen e strukturave të PS-së.
Komentet Rama i bëri gjatë një takimi me ministrat dhe deputetët e Tiranës, ku prezente ishte edhe vetë kandidatja e PS-së për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliu.
Rama tha se në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Tiranës, asnjë qytetar nuk e ka mendjen te kandidati i opozitës përballë Manastirliut, por te zgjidhja e halleve të përditshme të tyre.
Lidhur me reformën e re territoriale, Rama tha se qeveria nuk do të presë që bashkitë të bëjnë punën e tyre, por do t’i udhëheqë ato drejt një qëllimi të përbashkët, që sipas kryeministrit, është shërbimi ndaj qytetarëve.
“Më vjen shumë mirë që siç edhe ju të gjithë e keni konstatuar, kandidatura e Ogertës ka gjetur menjëherë mbështetjen e plotë të familjes sonë të madhe politike. Të gjithë janë të një mendjeje se është radha e saj ta udhëheqë Tiranën, me qetësinë që e ka karakterizuar në të gjitha detyrat që ka mbajtur deri më tani. Aq e fortë është mbështetja e PS-së ndaj Ogertës, saqë është krejt pa interes se kush do të jetë kandidati apo kandidatët e saj rivalë, të cilët do të hyjnë në garë të humbur dhe do të dalin nga gara edhe më të humbur. Edhe nga anketimi që kemi bërë në Tiranë, rezulton se qytetarët nuk e kanë fare mendjen te ndonjë rival i Manastirliut, port e hallet që duan zgjidhje në kryeqytet. Duke nisur që nga uji i pijshëm që është një problem si asnjëherë më parë në këtë periudhë. Është një problem i keqadministrimit dhe ne do të ndërhyjmë përsëri në drejtimin e ujësjellësit të Tiranës. Ndërkohë që siç e kemi bërë me dije, një reformë e re më e thellë e gjithpërfshirëse për të gjithë territorin e Shqipërisë ka nisur të marrë jetë, duke u konceptuar paraprakisht, drejt krijimit të një operatori kombëtar që do të funksionojë njësoj si operatori kombëtar i shpërndarjes së energjisë elektrike. Qeveria nuk do të qëndrojë më anash duke pritur që Bashkitë të kryejnë shërbimin e duhur për qytetarët, por do t’u bashkohet atyre dhe do të udhëheqë duke marrë të gjithë përgjegjësinë për ecurinë e gjithë këtij procesi”, tha Rama.