Më 14 shtator, Papa Leoni XIV feston 70-vjetorin e lindjes. Një ditëlindje e veçantë, që shënon jo vetëm moshën, por edhe stilin e tij të papatit, të ndërtuar mbi energji, diplomaci dhe thirrje të forta për paqe.
Urimet më prekëse erdhën nga fëmijët e shtruar në spitalin pediatrik të Romës, të cilët i dërguan vizatime që përcillnin shpresë për paqe. Ky është mesazhi që Papa ka përcjellë që në ditën e parë në krye të Vatikanit, më 8 maj.
Pas dyerve të mbyllura, zhvillohen telefonata të shpeshta me liderë botërorë, të cilat Papa i ka përmendur vetë si pjesë të përpjekjeve për zgjidhje paqësore.
Në vetëm katër muaj, ai ka bërë thirrje të shumta për ndalimin e luftërave. Paralelisht, ai përpiqet të ndërtojë unitet brenda Kishës, duke u hapur si ndaj komunitetit LGBT, ashtu edhe ndaj konservatorëve.
Papa Leoni XIV ka lënë tashmë gjurmë të dukshme në Kishë dhe në politikën ndërkombëtare.