Policia ka nisur procedimin penal për dentistin që i dha mjekim dje shtetasit 59-vjeçar në Devoll, i cili ndërroi jetë pas daljes nga klinika dentare.
Sipas uniformave blu bëhet me dije se dentisti po hetohet për veprën penale “neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
Kujtojmë se 59-vjeçari kishte shkuar në klinikën dentare së bashku me dy djemtë dhe dy të afërm.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për shtetasin Sh. D., 59 vjeç, që humbi jetën, rreth 1 orë pasi mori mjekim në një klinikë dentare, bëjmë me dije se shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll kryen veprimet procedurale dhe materialet i referuan në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”, për shtetasin B. L., 36 vjeç, dentisti që i ka dhënë mjekim shtetasit Sh. D.”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.