Në konferencën e sotme për mediat, kreu i PD, Berisha deklaroi se qeveria u ofron turistëve vetëm shpërthimet me tritol dhe kaosin për lirimin e hapësirave në sezonin turistik.
Kryedemokrati i bëri këto deklarata teksa komentoi shembjen e objektit në Vlorë nga Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, pasi nuk kishte respektuar rregullat e ndërtimit, ku sipas Berishës një veprim i tillë dëmton turizmin në vendin tonë.
“U ofron banorëve të Orikumit dhe turizmit që mund të jetë aty, pushuesve që mund të jenë aty, terrorin e 32 kilogramëve tritol, zhurmën në kulmin e turizmit. Këtë, mund ta bëjë vetëm një njeri që quhet Ramaduro”
Berisha nuk la pa përmeduar në deklaratën për mediat edhe aksionin për lirimin e hapësirave në Theth, të cilin e cilësoi përsëri si një hakmarrje e qeverisë pasi nuk u votua nga banorët në zgjedhjet e 11 majit.
“Thethi rrafshohet për herë të parë nga një armik i betuar i Thethit, i Shkodrës, i veriut, i Kosovës, që ka emrin Edi Rama.”
Berisha në këtë konferencë solli përsëri në vëmendje çështjen McGonigal, duke thënë se Kryeministri Rama po mbrohet nga SPAK, që nuk heton rolin e tij në korrupsion.
“McGonigal u pagua nga zyrat e Edi Ramës për të kryer misionin e tij kundër opozitës. Me gjithë këto, Altin Troplini, ky mercenar që s’ka ligj e as moral, mban në sirtar dosjen e McGonigal prej dy vitesh”
Dhe pse shprehet mosbesues ndaj drejtësisë shqiptare, shpreson në një hetim nga autoritetet amerikane për dosjen McGonigal.
“Kam besim të plotë se FBI po e riheton rolin e McGonigal. Jam i bindur se komponenti shqiptar i kësaj dosje do hetohet dhe se Altin Troplini nuk do mund të fshehë kurrë aktivitetin kriminal të Edi Ramës dhe McGonigal në Shqipëri”.
Kryedemokrati thotë se kundërpërgjigja ndaj qeverisë do të vijë vetëm nga mobilizimi i qytetarëve dhe opozitës.