Plani i miratuar së fundmi nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu synon që forcat izraelite të marrin nën kontroll qytetin e Gazës, në veri të enklavës, për herë të parë gjatë këtij konflikti.
Qyteti, që është shtëpi për një milion banorë, është i rrethuar nga toka që tashmë ndodhet nën kontrollin e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ose është subjekt i një urdhri evakuimi.
Izraeli thotë se kontrollon 75 për qind të Gazës, ndërsa OKB vlerëson se rreth 87 për qind e territorit është ose në zona të militarizuara ose nën urdhra evakuimi, shkruan BBC.
Më në jug, sipas OKB-së, ka zona në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, përgjatë bregdetit të Mesdheut, që nuk janë të pushtuara nga Izraeli.
Këto zona përfshijnë kampet e refugjatëve, ku aktualisht jeton pjesa më e madhe e popullsisë së Gazës, pasi shtëpitë e tyre janë shkatërruar nga ushtria izraelite.
Ndryshe, plani izraelit tashmë ka hasur në kundërshtime si brenda Izraelit, ashtu edhe nga komuniteti ndërkombëtar.