Më në fund është zyrtare. Futbollisti me origjinë shqiptare që përfaqëson kombëtaren e Zvirës, Ardon Jashari, është lojtar më i ri i Milanit.
“AC Milan njofton blerjen e përhershme të Ardon Jasharit nga Club Brugge“, thuhet në një deklaratë nga kuqezinjtë, teksa janë publikuar edhe imazhet e Jasharit që hedh firmën mbi kontratë.
“Mesfushori zviceran ka nënshkruar një kontratë deri më 30 qershor 2030. I lindur në Cham (Zvicër) më 30 korrik 2002, Ardon erdhi nga akademia e të rinjve në FC Luzern, ku bëri debutimin e tij me ekipin e parë në korrik 2020, duke bërë 102 paraqitje dhe duke shënuar nëntë gola. Në verën e vitit 2024, ai u transferua në Club Brugge, ku bëri 52 paraqitje dhe katër gola, duke fituar Kupën e Belgjikës. Jashari ka katër ndeshje për ekipin kombëtar të Zvicrës, ku bëri debutimin e tij në shtator 2022. Ardon Jashari do të veshë fanellën me numrin 30 për Rossonerët“, thuhet më tej në njoftim.
Pasi mbërriti në Linate të martën në mbrëmje, Jashari shkoi në klinikën “La Madonnina” herët në mëngjes për t’iu nënshtruar vizitave të zakonshme mjekësore. Më pas ai iu nënshtrua një testi fizik në Centro Ambrosiano dhe nënshkroi kontratën e tij në Casa Milan.
Megjithatë, për shkak të kufizimeve kohore, Jashari nuk do t’i bashkohet shokëve të tij të rinj të ekipit në Milanello deri të enjten, ku do të marrë pjesë në seancën e tij të parë stërvitore të kuqezinjve nën drejtimin e trajnerit Allegri.
Marrëveshja më në fund u realizua të martën, kur Milani dhe Club Brugge arritën akordin duke mbyllur me sukses “telenovelën” e merkatos së verës. Klubi belg do të marrë 34 milionë euro menjëherë, plus 4.5 milionë euro bonuse.
Jashari do të marrë 2.5 milionë euro plus bonuse në sezon. Marrëveshja për mesfushorin është një transferim rekord, pasi asnjë klub belg nuk ka fituar ndonjëherë kaq shumë në merakto nga shitja e një futbollisti.